Tragjedia në bregdetin shqiptar, arrestohet administratori i plazhit ku u mbyt babai me dy djemtë

Prishtinë | 10 Kor 2023 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Policia ka arrestuar Pëllumb Nikën administratorin e pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë, Rrogozhinë, ku humbën jetën nga mbytja në det, babai Elvis Halilaj, bashkë me 2 djemtë e tij të mitur, 13 dhe 17 vjeç.

34-vjeçari, i cili kishte marrë me qira në bashkinë e Rrogozhinës, administrimin e parcelës së plazhit, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur me mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje.  

Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë“, njofton policia.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes treguan se panë një burrë që kishte ngritur duart dhe kërkonte ndihmë, por asnjë nga pushuesit nuk u fut në det sepse kishin frikë nga dallgët e mëdha dhe aty mungonin vëzhguesit. Tre të mbyturit u nxorrën nga deti nga një person që punonte në plazh.

Të ngjashme