Të paktën 174 njerëz vdiqën dhe 180 të tjerë u lënduan në një rrëmujë dhe trazira në një ndeshje futbolli në Indonezi, në një nga tragjeditë më të rënda në botën e futbollit. Shifrat janë të raportuara zyrtarisht deri më tani.
Kjo tragjedi ndodhi pas ndeshjes mes Aremas dhe Persebayas, që u mbyll me rezultatin 2-3, transmeton Gazeta Express.
E gjithë kjo tragjedi nisi pasi tifozët e ekipit vendas nuk u pajtuan me faktin e humbjes nga rivalët e tyre dhe pushtuan fushën e lojës.
Pastaj, policët hodhën gaz lotsjellës në një përpjekje për të kontrolluar situatën. Por, pastaj paniku u përhap dhe mijëra njerëz vraponin drejt daljeve të stadiumit “Kanjuruhan”, ku shumë persona raportohet se u mbytën aty, si shkak i asfiksisë dhe shtypjes.
Tragjedia e ndodhur në Malang është më e madhja që nga viti 1964, kur 328 njerëz u raportuan të vdekur në një ndeshje mes Perusë dhe Argjentinës në “Estadio Nacional”.