Mbrëmë një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Blaç të komunës së Dragashit.
Një vajzë 4-vjeçare ka rënë në lumin e fshatit duke humbur jetën.
Komandanti i stacionit policor të Dragashit, Shaqir Ukaj ka thënë për RTV Dukagjinin se vogëlushja ka rënë në lumë derisa po luante me shoqërinë e lagjes.
“Trupi i vajzës është gjetur rreth 2 kilometër nga vendi i ngjarjes, në afërsi të fshatit Zgatar. Mjeku ka konstatuar vdekjen e vajzës”, deklaroi Ukaj, për RTV Dukagjinin.
Banorët e fshatit Blaç thonë se gjithmonë janë të rrezikuar nga lumi kur ka të reshura atmosferike.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rrëshqitje të dheut. Nga gushti i vitit të kaluar ne vazhdimisht jemi të rrezikuar nga lumi sa herë që bie shi”.
Nënkryetari i Komunës së Dragashit Selami Saiti thotë se për rregullimin e murit mbrojtës të lumit janë paraparë 20 mijë euro.
“Vitin e kaluar ka pasur shumë vërshime në këtë vend dhe ne kemi paraparë që të ndërtohet një mur mbrojtës për këtë lumë afërsisht në vlerë 20 mijë euro”.
Banorët tjerë të fshatit prapa kamerave thonë se vazhdimisht kanë bërë kërkesa për të rrethuar lumin për shkak të rrezikshmërisë që ai paraqet për banorët