Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë sot se nëse Serbia do të investonte 820 milionë euro në vit për komunitetin serb në Kosovë, kjo do të ishte vërtetë një pasuri. Por, ajo tha se askush nuk e di se ku përfundojnë kto para.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke prezantuar raportin për Kosovën para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, tha se Serbia çdo vit investon në Kosovë nga 750 deri në 800 milionë euro.
Trajkoviq tha për RTV “KIM” se “asnjë njeri serioz nuk e di se ku përfundojnë kaq shumë para”.
“Askush nuk e ka parë llogarinë përfundimtare, për të treguar se ku gjoja shkojnë ato para. Neve na intereson se ku shkojnë ato para. Nëse do të investoheshin kaq shumë para në komunitetin serb, në infrastrukturën ku jetojnë serbët, kjo do të ishte një pasuri e vërtetë. Kam frikë se hyjnë [paratë] zyrtarisht, e dalin jozyrtarisht nga Kosova dhe për këtë fajin e kanë strukturat e ngritura nga Lista Serbe dhe Vuçiq”, tha Trajkoviq.