Rada Trajkoviq, këshilltare politike e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se barrikadat nuk janë heroizëm e as përgjigje autentike e popullit.
Ajo shton se rritja e tensioneve me KFOR-in e EULEX-in është e rrezikshme.
“Barrikadat nuk janë kurrëfarë heroizmi e as përgjigje autentike e popullit( (sic shkruajnë disa media të pavarura), por rezultat i politikave të gabuara të Beogradit dhe Prishtinës. Trendi i rritjes së tensioneve ndërmjet KFOR/ EULEX’it jo që s’ka kurrëfarë qëllimi por është i rrezikshëm për komunitetet”, ka shkruar ajo.
Trajkoviq në një tjetër ‘tëeet’ thotë se janë dy prioritete: kthimi në Policinë e Kosovës dhe kompromisi urgjent për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk ka stabilizim të veriut pa kthimin e serbëve vendas në policinë e Kosovës. Kjo është e qartë, dhe kushdo që e mohon nuk ia dëshiron të mirën serbëve në veri. Ka dy prioritete: kthimi në PK dhe kompromisi urgjent për Asociacionin e Komunave Serbe (siç rekomandohet nga Escobar). Alternativa është një konflikt i cili neve do të na kushtojë shtrenjtë të gjithëve”, ka shkruar ajo në Twitter.
Kujtojmë që sot është dita e 17-të prej kur serbët kanë vendosur kamionë e makineri të rënda në rrugët në Veri, në shenjë revolte për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Pantiq është duke u mbajtur në paraburgim nën dyshimet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.