Trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, pasi mungoi në fitoren e skuadrës së tij kundër Benficas në Ligën e Kampionëve të mërkurë, me simptoma sikur të gripit.
Nagelsmann është duke e shijuar një fillim të mrekullueshëm të jetës në stolin e Bayernit qëkur iu bashkua klubit në verë nga RB Leipzig, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, ai u detyrua t’i shikojë nga larg djelmoshat e vet duke e mposhtur 4:0 klubin portugez në Estadio da Luz.
Një ditë më vonë, të enjten, Bayerni njoftoi se trajneri i vet është infektuar me virus.
“Julian Nagelsmann, 34-vjeç, trajneri i FC Bayern Munich, doli pozitiv në testin për koronavirus, megjithëse është plotësisht i vaksinuar”, thuhet në njoftimin e klubit gjerman.
“Ai do të rikthehet në Gjermani i vetëm me aeroplan mjekësor dhe do të futet në izolim”, thuhet tutje në njoftim.
Ai do të mungojë edhe në ndeshjen e radhës të Bayernit kundër Hoffenhaim në Bundesligë të shtunën.