Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka thënë se skuadra e tij do të futet në finalen e Ligës së Kampionëve e vetëdijshme plotësisht se mund ta mposhtë përsëri Manchester Ctyn, pasi ia mohoi festimin e titullit në Premierligës skuadrës së Pep Guardiolës me një fitore dramatike 2:1 të shtunën.
City do të shpallej kampion i Anglisë për herë të tretë në katër sezonet e fundit, sikur ta kishte mposhtur Chelsean, por tani do t’i duhet t’i fitojë tri pikë në ndeshjen e ardhshme për ta siguruar titullin, transmeton Gazeta Express.
Pasi ia shoi shpresat për trofe në FA Cup duke e eliminuar në gjysmëfinale, skuadra e Tuchel u përgatit për finalen e Ligës së Kampionëve kundër City duke e mundur edhe në Etihad, falë golave nga Hakim Ziyech dhe Marcos Alonso për ta kompletuar rikthimin në kohën shtesë, pasi Raheem Sterling e kishte hapur serinë e golave.
City do ta kishte trofeun në dorë, sikur Sergio Aguero ta dyfishonte epërsinë në fund të pjesës së parë, por gjuajtja me panenka i dështoi pasi Edouard Mendy e priti goditjen e tij.
Tuchel u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Chelseat në atë takim.
“Jam i kënaqur me paraqitjen. Ishte betejë fizike dhe ne nuk u ndalëm kurrë e as nuk u dorëzuam, por e rritëm motivimin tonë”, tha Tuchel.
“Kjo fitore na jep vetëbesim, por siç kam thënë më herët, ky rezultat nuk e ndryshon finalen e Ligës së Kampionëve. Por ne shkojmë në finale të vetëdijshëm se mund ta mposhtim Cityn”, shtoi ai.
Finalja e Ligës së Kampionëve mes Chelseat dhe City zhvillohet më 29 maj.