Italia po përgatitet për sfidën çerekfinale të Evropianit përballë Belgjikës, e planifikuar për nesër në mbrëmje, në “Allianz Arena” të Munihut, ndërsa trajneri Roberto Mancini ka ende edhe dy dilema sa i përket formacionit që do të hedhë në fushë nga minuta e parë.
Dilema e parë lidhet me kapitenin Giorgio Chiellini, që prej dy ditësh stërvitet me grupin, por që nuk është ende në formën e tij më të mirë. Italia ka nevojë për kapitenin, pasi përballë do të ketë një sulmues shumë të fortë si Lukaku dhe vetëm Chiellini mund të provojë t’i përgjigjet në aspektin fizik.
Gjatë seancave të fundit stërvitore në formacion është provuar qendërmbrojtësi i Lazios, Francesco Acerbi, që është edhe favorit për të luajtur nga fillimi, megjithatë për Chiellinin do të vendoset vetëm para ndeshjes dhe duket se do të jetë vetë kapiteni ai që do të thotë fjalën e fundit, nëse ndihet mirë për të zbritur në fushë apo jo.
Dilema tjetër është në repartin e sulmit, pasi Federico Chiesa ka bërë shumë mirë në dy ndeshjet që ka luajtur dhe për momentin është favorit ndaj Berardit për ta nisur nga minuta e parë, bashkë me dyshen Immobile-Insigne, që janë të padiskutueshëm në formacion.
Sa i përket pjesës tjetër të formacionit nuk priten surpriza, pasi në krahët e mbrojtjes janë konfirmuar Di Lorenzo e Spinnazzola, ndërsa në mesfushë treshja titullare do të jenë Barella-Jorginho-Verratti, me Locatellin e Pessinën gati për të dhënë kontributin e tyre, nëse do t’u kërkohet gjatë ndeshjes.