Trajneri i kombëtares U-21 të futbollit në Shqipëri, Alban Bushi, është shprehur se sfida ndaj Kosovës do të jetë e vështirë..
Në konferencën për shtyp ku ka zbardhur listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen zyrtare kualifikuese ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet në datën 15 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 19:00, trajneri Bushi në fjalën e tij theksoi se, “kundërshtarin e njohim, është i fortë dhe pretendent për t’u kualifikuar. Ata kanë një grup të lidhur, ndryshe nga ne që bëjmë shumë ndryshime, pasi furnizojmë Kombëtaren e parë. 3-4 lojtarë të Kosovës nuk dua të përmend emra, i kemi kontaktuar para dy vjetësh por, nuk kanë pranuar të vijnë me ne edhe pse për ne nuk është problem. Pika e tyre më e fortë është agresiviteti dhe dëshira që kanë për të fituar, diçka që te lojtarët tanë nuk e kanë në 90 minuta, kanë oshilacione në agresivitetin gjatë lojës”.
“Unë mendoj se Kosova është një hap më lart se ne në këtë aspekt. Po t’i shikosh lojtarët tanë, kanë më shumë cilësi se ata. Por, kjo grinta duket se e mposht cilësinë, duke dhënë 100% në fushën e lojës dhe agresivitetin që unë kërkoj te skuadra, ne do dalim me rezultat pozitiv. Kosova i ka të gjithë lojtarët që luajnë titullar dhe marrin minuta”, tha Bushi.
Duke folur për tifozët, ai tha se, “na kanë mbështetur. Ekipin kombëtar duhet ta mbështesin, pavarësisht orarit apo kohës së keqe. Unë mendoj se me Kosovën do të ketë tifozë në stadium”.
Sa i përket lojtarëve të Kombëtares, Bushi tha se, “Selmani mund të jetë pesë e Kombëtares A, këtë nuk e dimë ende. Në përgjithësi mendoj që lojtarët të cilët kanë më shumë minuta duhet të vijnë në kombëtare. Kemi bërë katër ndeshje dhe mendoj se gabimin e vetëm e kemi bërë vetëm me Andorrën. Me Turqinë kemi bërë mirë, ndërsa me Austrinë kemi bërë lojën më të dobët në këto eliminatore. Duhet të ishim më agresiv dhe skuadra u shpërbë në 20 minutat e fundit, gjë e cila nuk ka ndodhur në ndeshjet e mëparshme”.
Sa i përket objektivit, Bushi tha se, “është të futemi për fitore, por duhet të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren A. Ka shumë lojtarë si Bullari, Broja, Ndreçka, Kalaj dhe Pëllumbi që nuk e kanë moshën për te ne, por ne i marrim, i japim minuta, por kjo ka kostot e veta, pasi ata luajnë me lojtarë tre vjet më të mëdhenj. Ne duhet të japim maksimumin, pavarësisht forcës së kundërshtarit që kemi përballë. Këto ndeshje shërbejnë për t’u rritur dhe fituar elementë për brezin e ardhshëm”.
“Jemi duke u zhvilluar, kemi lojtarë shumë të mirë, por ne mendojmë edhe për Kombëtaren A, e cila ka marrë shumë lojtarë në tre vitet e fundit. Ne ëndërrojmë Europianin dhe mundohemi të bëjmë maksimumin. Unë nuk kërkoj asgjë nga skuadra, përveçse faktit të luftoj dhe të japi gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, atë që ka brenda atyre. Në lojë duhet të luftosh 95 minuta. Duhet të pranojmë që këta janë lojtarët që kemi në dispozicion. Jemi të kënaqur, kur shohim lojtarët e Shpresave që bashkohen me ekipin A. Kjo na bën krenarë dhe shpresojmë që me Kosovën të bëjmë të lumtur tifozët tanë”, theksoi Bushi.