Trajneri i ekipit kombëtar të Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic, ka bërë të ditur se nëse Fatos Beqiraj do të jetë pjesë e formacionit të parë në ndeshjen kundër Kosovës, ai do ta mbajë shirin e kapitenit.
Mali i Zi do ta presë Kosovën në stadiumin e Podgoricës të premten, për ndeshjen e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në Kampionatin Evropian 2020, ku garojnë edhe Anglia, Republika Çeke dhe Bullgaria.
Pjesë e ekipit malazias është edhe Fatos Beqiraj, përkundër që ka prejardhje nga Peja. Ai iu kishte bashkuar përfaqësueses së shtetit fqinj në kohën kur futbolli kosovar nuk ishte i pranuar ndërkombëtarisht.
“Nëse starton Beqiraj, ai do të jetë kapiten. Por, nuk kam vendosur ende nëse ai do të luaj apo jo” ka thënë trajneri i Malit të Zi.
Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.