Trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre ka folur për të ardhmen e Vedat Muriqit.
Sulmuesi kosovar është huazuar në klubin spanjoll nga Lazio në muajin janar, ndërsa thuhet se ishullorët nuk do ta shfrytëzojnë mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit të lojtarit.
Trajneri i klubit nga La Liga e ka përgëzuar prizrenasin për angazhimin dhe për kontributin që po e jep, shkruan “Gazeta Express”.
Por, nuk është i sigurt nëse Mallorca do t’i shpenzojë 12 milionë euro për ta blerë përfaqësuesin kosovar.
“A do t’i paguajmë 12 milionë euro për ta blerë lojtarin? Nuk mund të flas me supozime. Duhet të presim derisa të mbyllet sezoni dhe më pas të shohim se çka do të bëjmë. Do të ulemi, të planifikojmë, të shohim nëse ia vlen, të shohim se çka do të ndodhë me të huazuarit dhe se çfarë nevojash kemi”, deklaroi trajneri Aguirre në një intervistë me “Ultima Hora”.
Ai më pas foli edhe për karakteristikat e ish-futbollistit të Fenerbahçes dhe të Rizesporit.
“I kemi pesë sulmues dhe janë të ndryshëm, kështu që çfarëdo kombinimi është i mirë. Ai që ka luajtur më së shumti është Muriqi, sepse është në ritëm me golin dhe është mjaft i motivuar. Më pëlqen se si punon ai”, përfundoi Aguirre.
Muriqi po e bën të pamundurën për t’ia siguruar Mallorcas mbetej në ligë.
Deri tash, ai i ka realizuar 4 gola dhe e ka bërë një asistim me këtë ekip, shkruan “Gazeta Express”.
E më pas, ai pritet të rikthehet në Lazio, e cila do të vendosë nëse do ta mbajë apo jo.
Nëse jo, atëherë 28 vjeçari mund të rikthehet në Superligën turke, ku e presin krahëhapur Fenerbahçe dhe Galatasaray.