Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, i ka quajtur të rastësishme golat e Manchester City në humbjen e skuadrës së tij 2:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre në Ligën e Kampionëve të mërkurën.
PSG-ja kishte kaluar në epërsi herët në pjesën e parë falë një goli nga Marquinhos, por goditjet e Kevin de Bruyne dhe Riyad Mahrez disi me fat e rikthyen gjysmëfinalen në favor të Man City në Parces des Princes, transmeton Gazeta Express.
Derisa e pranoi se skuadra e Pep Guardiolës e ndryshoi ndeshjen në pjesën e dytë duke mbizotëruar dhe duke krijuar më shumë, Pochettino këmbënguli se PSG-ja e meritoi ta fitonte të paktën pjesën e parë.
“Mendoj se ne e merituam të shkonim me epërsi në rezultat në pushimin mes pjesëve, por në pjesën e dytë, ata ishin më të mirë se ne”, tha Pochettino.
“Ata mbizotëruan, por nëse i shikon golat e tyre, mendoj se ishin të dyja të rastësishme”, shtoi ai.
“Por në fund, ata na mbizotëruan më shumë në pjesën e dytë dhe ata krijuan më shumë”.