Trajneri i Slovan Bratislavës, Jan Kozak, ka deklaruar se skuadra e tij është në përparësi ndaj Feronikelit dhe se ata do e kërkojnë vetëm kualifikimin tutje.
Kryetrajner i ri i Slovan Bratislavës ka thënë se skuadra e tij është në përparësi pasi që kanë fituar ndeshjen e parë, teksa edhe në Prishtinë kanë udhëtuar vetëm për të kërkuar kualifikimin.
“Kemi një përparësi pasi kemi fituar ndeshjen e parë, e dimë se çfarë kërkojmë dhe dëshriojmë të kalojmë në raundin tjetër. Nuk do të jetë me rëndësi rezultati kryesorja është të kalojmë në raundin tjetër” – tha fillimisht Kozak në konferencën për media në Prishtinë.
“Eliminimi normalisht që do të ishte një zhgënjim i madh për Slovanin, por me gjithë respektin për Feronikelin ne kemi udhëtuar që të kalojmë në raundin tjetër. Ne jemi shumë të lumtur që do të ketë shumë shikues dhe do të jemi shumë të motivuar të luajmë para një numri të madh shikuesve” – ka deklaruar trajneri i Bratislavës.
Ndryshe, Feronikeli dhe Slovan Bratislava e zhvillojnë nesër(e martë) ndeshjen e kthimit. Ndeshja zhvillohet në ‘Fadil Vokrri’ me fillim prej orës 18:00.
Kujtojmë që ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultatin 2-1 në favor të kampionit sllovak.