Trajneri i Kosovës U-16, Gazmend Haliti ka paralajmëruar padi për FFK-në, duke shfrytëzuar edhe mekanizmat ligjor të UEFA-së dhe FIFA-së kundër federatës kosovare të futbollit.
Ai me anë të një statusi ka akuzuar FFK-në se nuk e kanë lajmëruar me shkrim për largimin e tij si trajner, derisa ata nuk kanë paguar as pagat e tij prej tre muajsh, ashtu siç obligohet ligjërisht.
“Turp! Edhe pse ligjërisht punëtori duhet te njoftohet me shkrim, tre muaj më herët, këtë nuk e bëri FFK, e pranuar në Uefa/Fifa! Pa kurrfarë paralajmërimi Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ma NDALOI PAGEN time, të cilën e kam fituar me punë dhe rezultate të shkëlqyeshme!”, ka shkruar ai në fillim të statusit të tij.
Haliti ka shkruar se ai nuk ka asnjë humbje prej që Kosova është pranuar në UEFA dhe FIFA, derisa konsideron që rezultatet e tij vinë sipas punës së tij profesion dhe “pa imponime nga askush!”.
“Nuk ma keni dhënë mundësinë të drejtoj një Kombëtare U17, U19, U21! Në kualifikime për Kampionat Evropian, e kam merituar, me rezultatet që kisha dhe shkollimin që kam, më larguat pa e përjetuar një gjë të tillë, do ju mallkoj tërë jetën! Kam punuar 7 vite pa page në FFK, vitet 2009-2016, keto nuk ishin të rëndësishme për ju, MA NDALUAT PAGËN, me të cilën e mbaj familjen, por zoti do ju dënoj!?”.
“Ju do të kujtoheni nga unë si njerëz jo profesional, frikacak, nuk keni guximin të merrni vendime të drejta por vendime të interesit personal! Unë dhe familja ime do ju mallkojmë tërë jetën! VENDIMI I JUAJ ËSHTË VENDIM I TURPIT! Me FFK e kam kontratën deri më 01.01.2024 dhe me të do të merret FIFA!”, ka shkruar ai ndër të tjera në reagimin e tij!