Trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, ka folur për atleten shqiptare që shkëlqeu në garat e Amsterdamit duke marrë medalje argjendi si e dyta e Evropës në 3000 mijë metra me pengesa. Ndryshe nga kombëtarja shqiptare e futbollit që u pritën si heronj në Tiranë, për Luizën nuk është bërë asgjë. Madje ajo s’ka një vend ku të stërvitet, duke bërë vrapin e nevojshëm vetëm në Parkun e Tiranës.
Gega në vitin 2014 përfundoi në vendin e gjashtë në 1500 metra në “World Indoor Championship”, ku gjithçka që mori ishte vetëm një heshtje. Por tashmë ish-futbollisti Stërmasi sqaron këtë situatë të pakëndshme që ndodhet në sportin e atletikës, dhe konkretisht për Luiza Gegën.
“Të marrësh para nga shteti duhet të jesh ndër pesë më të mirët… ajo doli në vendin e gjashtë. Po ku u renditën futbollistët tanë” – pyet ai.
Ministrja që mbulon sportin u takua me futbollistët, por ajo asnjëherë nuk u takua me Gegën, thotë Stërmasi.
“Doja ti thosha asaj (ministres) nëse mendon që Gega nuk i meriton paratë, nuk ka asnjë problem, por vetëm duhet t’ia thoni. Ajo është atletja më e mirë që Shqipëria ka pasur ndonjëherë”.
Luiza Gega stërvitej në stadiumin “Qemal Stafa”, por tashmë edhe ky vend nuk ekziston më pasi është shembur për t’i lënë vendin “Arenës Kombëtare” që do të ndërtohet.
Gega do të udhëtojë në Rio pa një psikoterapisë, një nutrionist apo masazhator – gjë që është e pamundur të mendohet për emra të mëdhenj atletësh apo shumë nga konkurrentet e saj. Me shpenzimet e trajnerit të vet, ajo stërvitet në palestra lokale, fitnese të ndryshme. Dhe sigurisht, vrapon në parqe.
Pra nuk mbetët gjë tjetër veçse Luiza të shtrëngojë dhëmbët për tu stërvitur, sepse kushtet për një stërvitje të mirëfilltë nuk ekzistojnë më në Shqipëri.