Loja e mirë, zhvillimi i lojtarëve vendorë dhe mbetja në Superligë janë synimet modeste te KB Vëllaznimit në edicionin 2020/21 që nis pas dhjetë ditësh në elitën e basketbollit kosovar.
Për t’i arritur këto synime, kryesia e klubit ka angazhuar trajnerin Ljupço Malinkov që është edhe ndihmëstrajner te Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, transmeton KOHA.
Skuadra gjakovare është kthyer në elitën e basketbollit kosovar pas tri edicioneve në një rang më të ulët garash dhe synon të mbetet pjesë e Superligës edhe përtej edicionit të ri. Krahas trajnerit Malinkov, skuadra e Vëllaznimit ka angazhuar në ekip edhe dy amerikanë, Trent Bakerin e Malik Barnesin, dhe lojtarët vendorë, Roni Koshi, që edicionin e shkuar ishte te Bashkimi, e Kreshnik Avdijën, që dy vjetët e fundit ka qenë pjesë e ekipit nga kolegji amerikan Sierra College.
Te Vëllaznimi nuk do ta lënë vetëm me kaq pasi kryetari i klubit, Kastriot Zherka, ka premtuar edhe një të huaj që brenda pak ditëve pritet të zbarkojë në Gjakovë.
“Ne pothuajse jemi kompletuar si ekip për sezonin e ri, por vetëm po presim të angazhojmë edhe një lojtar të huaj pas dy amerikanëve dhe trajnerit nga Maqedonia e Veriut. Me këtë ekip besoj se do të kemi një fillim të mbarë në Superligë dhe synimi është që të jemi skuadër stabile”, është shprehur Zherka. “Rikthimi në elitë pas tre vjetësh është një motiv shtesë për ne dhe për këtë arsye duam paraqitje të mirë. Superliga dallon shumë prej Ligës së Parë pasi ekipet janë shumë më cilësore dhe luhet një basketboll i fortë. Në përgjithësi, e shoh Vëllaznimin si një ekip të gatshëm për të dëshmuar se meriton të jetë pjesë e Superligës”.
Edhe pse Vëllaznimi ka filluar më herët me stërvitje – me t’u hapur palestrat që ishin të mbyllura me vendim të Qeverisë së Kosovës – amerikanët dhe trajneri Malinkov i janë bashkuar ekipit në fillim të kësaj jave. Madje Malinkov beson në potencialin e ekipit të tij, por thotë se i nevojiten të paktën edhe dy përforcime nën kosh.
Malinkov karrierën e trajnerit e ka nisur në Maqedoni në vitin 2006, ku për shtatë vjet ka qenë asistent te ekipi Feni Industries, të cilin pastaj e ka udhëhequr prej vitit 2013 deri në vitin 2019.