Selektori Igor Angelovski mendon se Maqedonia e Veriut për një nuancë më e mirë se Kosova dhe pret që ekipi i tij të shkojë tutje
Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski e ka komentuar sot ndeshjen ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet nesër mbrëma në stadiumin “Tose Proeski Arena” në Shkup duke filluar nga ora 20:45.
Në një konferencë për shtyp, trajneri maqedonas ka thënë se për një nuancë, ekipi i tij është favorit, shkruan Gazeta Express.
Ai beson se lojtarët e tij do ta japin maksimumin për ta mposhtur Kosovën, në mënyrë që ekipi i tij ta prek finalen e madhe ndaj Bjellorusisë ose Gjeorgjisë, në kërkim të kualifikimit në Euro 2020.
“Jam i sigurt se do ta shohim më të mirën nga ekipi ynë kombëtar në këtë ndeshje. Maqedonia ishte duke e pritur këtë ndeshje qe 30 vjet. Kushtet janë të pazakonta, por ne duhet të adaptohemi si pjesa tjetër e botës. Do ta bëjmë maksimumin tonë në këto kushte që i kemi. Ne duhet të qëndrojmë të qetë”, deklaroi Angelovski fillimisht në konferencë për shtyp.
“Lojës me Kosovën duhet t’i qasemi si çdo ndeshjeje tjetër. Ne jemi angazhuar që të jemi në Evropian. Unë e di fort mirë se çka mund të bëjnë lojtarët, ata do ta bëjnë këtë. Detyrë e jona është që të përgatitemi për çdo skenar. Edhe pse kapiteni nuk është 100 për qind i gatshëm, kjo ndeshje luhet me motiv dhe inspirim. Mendoj se ne do ta japim maksimumin. Nuancat e vogla janë në anën tonë, pres që të shkojmë në finale”, përfundoi trajneri maqedonas.