Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, si dhe me prokurorë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas komunikatës për media thuhet se gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me trajtimin nga ana e prokurorëve të shtetit për rastet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Me këtë rast u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Agron Qalaj, ka vlerësuar angazhimin e të gjithë prokurorëve, duke theksuar se gjatë procesit zgjedhor, prokuroritë kanë vepruar me vigjilencë dhe profesionalizëm, në përputhje me kompetencat ligjore, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë”, thuhet në komunikatë.
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka informuar të pranishmit për koordinimin ndërmjet prokurorive dhe Koordinatores Nacionale, lidhur me aktivitetet e ndërmarra nga të gjitha prokuroritë themelore në rastet kur është evidentuar ose dyshuar për cenim të procesit zgjedhor, konkretisht në rastet kur është keqpërdorë – falsifikuar vota.
Edhe kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore informuan për veprimet konkrete të ndërmarra në hetimet e zhvilluara lidhur me këto raste, konkretisht për grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante, lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në fund të takimit, u.d. kryeprokurori Qalaj kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët unifikimin e veprimeve dhe praktikave hetimore nga të gjitha prokuroritë në trajtimin e rasteve që ndërlidhen me këtë proces zgjedhor, konkretisht në rastet kur është keqpërdorë – falsifikuar vota, me qëllim të trajtimit në mënyrë sa më efikase të të gjitha rasteve në nivel vendi.

