Drejtoria e Bujqësisë e Ferizajt nëpërmjet një shkrese ka njoftuar se gjatë 3 muajve të fundit nëpërmjet një kompanie private kanë trajtuar gjithsej 500 qenë endacakë. Ata deri tashti kanë paraqitur rrezik për qytetarët e kësaj komune.
Gjithashtu kjo komunë ka njoftuar se brenda një të ardhme të afërt do të nisin procedurat edhe për ndërtimin e një strehimoreje për trajtimin e qenve endacakë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Gjatë tre muajve kemi trajtuar 500 qenë endacakë, ndërkohë që shumë shpejt nisim procedurat për ndërtimin e strehimores”, ka njoftuar drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë i Ferizajt, Burim Bajrami.
Ai ka shtuar se duke iu referuar shtimit të numrit, të qenve endacakë në territorin e Ferizajt, ka njoftuar qytetarët e Ferizajt se Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, së bashku me profesionistët e kësaj fushe, po bëjnë përpjekje maksimale në evitimin e rreziqeve nga qentë endacakë, duke trajtuar këta të fundit sipas metodave të aplikuara ligjore dhe profesionale për trajtimin e tyre.