Tranzicioni që (nuk) po ndodh: Midis planeve të energjisë dhe realitetit të KEK-ut

Prishtinë | 30 Jan 2026 | 17:25 | Nga Donjeta Abazi

Në Kosovë, ku energjia ka qenë për dekada burim drite, por edhe sëmundjeje e shpërnguljeje, tranzicioni i energjisë nuk mund të matet vetëm me megavatë të rinj, por me jetët që përmirësohen.

Tranzicioni i energjisë nuk është vetëm ndërrim i burimit të energjisë nga qymyri në diell apo erë. Ai është një proces i thellë shoqëror dhe ekonomik që prek mënyrën se si prodhohet energjia, kush përfiton prej saj dhe kush bart kostot e ndryshimit.

Përveç punëtorëve të sektorit të energjisë, tranzicioni përfshin komunitetet që jetojnë pranë termocentraleve, shëndetin publik të ekspozuar për dekada ndaj ndotjes, ekonomitë lokale që varen nga një industri e vetme, si dhe aftësinë e institucioneve për të ndërtuar alternativa reale zhvillimi.

Qeveria, në dokumentet e saj zyrtare, flet për “kalimin gradual drejt energjisë së pastër”, ndërsa komunitetet që jetojnë nën hijen e termocentraleve të KEK-ut e përjetojnë çdo ditë të tashmen me tym, pluhur dhe pasiguri. Midis këtyre dy realiteteve, tranzicioni energjetik mbetet ende më shumë proces në letër sesa transformim i prekshëm.

Këtë hendek mes diskursit institucional dhe realitetit në terren e ilustrojnë edhe të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, e cila në Raportin Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2024 konstaton se ndikimi i termocentraleve Kosova A dhe B në cilësinë e ajrit monitorohet përmes një rrjeti prej 13 stacionesh matëse në të gjithë territorin e vendit, me fokus të veçantë në zonat urbane dhe industriale me risk të lartë për shëndetin publik.

Sot, ndërsa vendi flet për tranzicion energjetik, për burime të ripërtëritshme dhe politika të gjelbra, komunitetet që jetojnë në këto zona e ndjejnë më shumë pasigurinë sesa përfitimin. Pyetjet që qëndrojnë pezull janë: çfarë do të ndodhë me ta kur oxhaqet të ndalen së punuari?, por para kësaj a do të ndalen së punuari këto oxhaqe?

Jeta nën hijen e termocentraleve

Në fshatin Hade, vend që dikur kishte më shumë banorë, sot kanë mbetur veç rreth 15 shtëpi të banuara. Shtëpitë tjera janë të braktisura, e krejt çka ka mbetur nga to janë rrënojat si dëshmi që dikur aty jetohej. Fshati Hade dhe fshatrat e tjerë të komunës së Obiliqit janë një pamje jo fort e lakmueshme, një pamje që i përngjan ngjyrës hiri.

Në dokumentet zyrtare të monitorimit, kjo zonë klasifikohet ndryshe. Sipas Raportit Vjetor për Gjendjen e Ajrit 2024, “Aglomeracioni AKS1”, përfshin zonat urbane dhe industriale më të dendura, ku ndotja e ajrit paraqet risk më të lartë për popullatën.

Avdi Preniqi, një prej banorëve të mbetur aty thotë se askush nuk i ka shpjeguar ndonjëherë asgjë për tranzicionin energjetik dhe përtej kësaj ai ka halle të tjera si banor i kësaj zone.

“Unë nuk di kurrgjë për tranzicionin e energjisë, nuk kam dëgjuar asnjëherë. Krejt kemi mbetë diku 15 shtëpi. Janë shpërngulur për shkak të fëmijëve e shkollimit. Nuk ka shkollë, nuk ka ambulantë, nuk ka market bile. Mbështetje s’kemi marrë nga askush, asnjë premtim. Në vitin 2004 u bë vlerësimi i shtëpive, por kurrgjë s’u bë. Fshati ka mbetur si mos më keq.”

Hade është një metaforë brutale e tranzicionit energjetik në Kosovë, një proces që ekziston në dokumente të qeverisë, por jo në terrenin ku komunitetet kanë jetuar gjithë jetën nën hirin e KEK-ut.

Ragip Grajqevci dikur banonte në fshatin Hade dhe njëkohësisht kishte punuar në KEK për 42 vite.

Ai thotë se tashmë vetëm rreth 15 shtëpi janë të banueshme në këtë fshat, i cili është fare pranë mihjes dhe në kushte normale ish dashtë të shpronësohet.

Nga dokumentet e strategjive te realiteti në terren

Sipas Strategjisë së Energjisë 2022–2031, Kosova ka ndërmarrë disa hapa për t’u përafruar me objektivat e Bashkimit Evropian. Dokumenti parashikon “rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në 32% deri në vitin 2030, uljen e emetimeve me 16% dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë”.

Këtë mospërputhje mes objektivave dhe realitetit e thekson edhe Green Energy Kosova, e cila vlerëson se “Strategjia e Energjisë 2022–2031 është dokumenti më ambicioz energjetik i miratuar ndonjëherë në Kosovë, por zbatimi praktik dhe ritmi real janë dukshëm mbrapa objektivave strategjike.”

Gjithmonë sipas Strategjisë së Energjisë 2022-2031, disa çaqe konkrete afatshkurtra duhej të ishin realizuar deri në vitin 2025, përfshirë funksionimin e plotë të bursës ALPEX, vendosjen e skemave të mbështetjes për konsumatorët në nevojë dhe përgatitjet për caktimin e çmimit të karbonit. Megjithatë, monitorimet e pavarura dhe mungesa e të dhënave të qarta zyrtare sugjerojnë se këto hapa kyç ende nuk janë përmbushur plotësisht, duke reflektuar një ritëm zbatim më të ngadaltë sesa caktohet në planin strategjik.

Ministria e Ekonomisë, në përgjigjet e saj, thekson se janë miratuar ligjet bazë për energjinë, si dhe Ligji për promovimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë, ndërsa është përgatitur edhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP) 2025–2030.

Në praktikë, Ministria përmend projekte konkrete: “Është përmbyllur ankandi i parë për 100 MW solare fotovoltaike dhe ka nisur procesi për 150 MW kapacitete të erës. Një ndër projektet kryesore është Solar4Kosovo, i cili përfshin dy komponentë: (i) një sistem solar termal prej rreth 70 MWth për Termokos në Prishtinë, që synon furnizim me ngrohje nga burimet solare dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, i financuar nga KfW dhe WBIF; dhe (ii) një park fotovoltaik prej 100 MWp për KEK në Obiliq, i vendosur në tokat e degraduara të ish-deponive të hirit, me mbështetje nga EIB dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.”

Këto, sipas ministrisë, janë dëshmi se “Kosova po ecën në mënyrë graduale drejt objektivave të BE-së për tranzicionin e gjelbër.”

Një nga elementet kyçe të tranzicionit energjetik, që përmendet në Strategjinë e Energjisë 2022–2031, por që ende nuk është zbatuar në praktikë, është vendosja e çmimit të karbonit. Dokumentet strategjike parashohin përgatitjen e një sistemi gradual të çmimit të karbonit, i cili do të harmonizohej me tregun evropian të emetimeve (EU ETS), me nivele orientuese që në fazat e hershme përmenden rreth 30–35 euro për ton CO₂, për t’u rritur gradualisht drejt niveleve evropiane.

Megjithatë, deri më sot, Kosova nuk ka një taksë apo sistem funksional të çmimit të karbonit në fuqi. Kjo do të thotë se ndotja nga sektori i energjisë ende nuk reflektohet në kosto reale ekonomike për prodhuesit vendorë, ndërkohë që përmes mekanizmave të Bashkimit Evropian, si CBAM, ky çmim po aplikohet indirekt mbi eksportet, duke e ekspozuar vendin ndaj rreziqeve ekonomike pa pasur ende një politikë të brendshme të përgatitur.

Green Energy Kosova, në përgjigjet dhe komentet e tyre, vlerësojnë se ankandi për 100 MW fotovoltaik përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe tregoi interes nga investitorët, por theksojnë se mungesa e ankandeve të rregullta për energjinë e erës dhe e cikleve të vazhdueshme vjetore e kufizon ndikimin e këtij mekanizmi.

Në letër, duket se shumë po ndodh.

Por në terren investimet ende nuk janë shndërruar në kapacitete funksionale. E pyetur për planin për punëtorët e KEK-ut, ministria deklaron shkurt se “kjo çështje bie në domenin e vet ndërmarrjes KEK.”

Megjithatë, në nivel ligjor, Kosova pretendon një shkallë të lartë harmonizimi me Bashkimin Evropian. Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja Nr. 08/L-025 konsiderohet ligji bazë për këtë fushë dhe është i përafruar me direktivat kryesore të BE-së për cilësinë e ajrit dhe emisionet industriale. Pavarësisht kësaj, dimensioni social i tranzicionit – veçanërisht fati i punëtorëve të KEK-ut – mbetet jashtë çdo plani konkret.

Këtë boshllëk e konfirmon edhe Green Energy Kosova, e cila thekson se “nuk kemi ende as plan social, as plan ekonomik për punëtorët e KEK-ut dhe komunitetet përreth.”

Në disa rajone të Rumanisë dhe Bullgarisë tranzicioni energjetik ka sjellë pasoja të ashpra sociale, pasi mbyllja e minierave ka ndodhur pa plane pune për punëtorët, pa mbështetje financiare për familjet, dhe pa projektet alternative të zhvillimit. Raportet e BE-së paralajmërojnë se tranzicioni i paorganizuar mund të çojë në papunësi masive, varfëri të thelluar, emigrim dhe braktisje të zonave të tëra industriale.

Këto përvoja tregojnë se modeli i heqjes së qymyrit e “pastaj shohim” është një dështim i sigurt dhe rreziku është i njëjtë edhe për Obiliqin nëse institucionet nuk hartojnë një plan të qartë social e ekonomik.

Banka Botërore thekson se tranzicioni energjetik bëhet i suksesshëm kur kombinohen tre elemente: ri-aftësimi i punëtorëve, investimet e drejtuara në ekonomi lokale, dhe përfshirja e komuniteteve në vendimmarrje. Sipas bankës, mbyllja e kapaciteteve të qymyrit pa këto masa sjell destabilizim financiar dhe tensione sociale. Ky është një paralajmërim i drejtpërdrejtë për vendet që ende nuk kanë filluar planifikimin si Kosova, ku punëtorët e KEK-ut deklarojnë se nuk janë të informuar dhe se nuk ekziston plan i qartë për të ardhmen e tyre.

Ragip Grajqevci prijës i xehetarisë, thotë së për tranzicionin nuk u diskutua në ambientet e KEK-ut dhe se me punëtorët e përfaqësuesit nuk pati një tryezë debati.

“Unë kam dëgjuar përmes një OJQ-je në lidhje me trancizionin që është përmendur por punëtoret e KEK-ut nuk janë të informuar as nga menaxhmenti, as nga qeveria. Për aq sa kam dëgjuar, nëse ndodh një trancizion i tillë, duhet të kihet parasysh që janë një numër i madh i punëtorëve në KEK për të cilët duhet të mendojë dikush, këtu punojnë mbi 4000 punëtorë.”

Boshllëku social në tranzicion

UNDP, përmes projektit “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”, përpiqet të mbushë pikërisht këtë boshllëk social. Projekti synon “adresimin e pabarazive shoqërore duke ofruar mbështetje për popullatën e cenueshme, veçanërisht gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet jo-shumicë.”

Në dokumentin e tyre, UNDP flet për “ndërhyrje që do të përqendrohen në grupet e cenueshme” dhe për forcimin e aftësive lokale për energji të pastër. Por për momentin, këto janë më shumë programe ndihmëse sesa pjesë e një strategjie të madhe kombëtare për “tranzicion të drejtë”.

Në Komunën e Obiliqit thonë së tranzicioni nuk po përkthehet në zhvillim lokal.

“Zona industriale ka kufizuar shumë fusha, si në biznese, ashtu edhe në ekonomitë familjare,” thuhet në përgjigjen zyrtare të komunës.

Për dekada, banorët e Obiliqit kanë jetuar me pasojat mjedisore të termocentraleve, ndërsa shumë banorë janë detyruar të emigrojnë drejt Prishtinës. Edhe pse komuna ka nisur projekte të vogla për energjinë e ripërtëritshme, panele diellore në objekte publike dhe programe për efiçiencë, ajo pranon se “rreziku social mbetet i lartë” nëse nuk ka masa për punëtorët e KEK-ut.

“Kërkesa themelore mbetet respektimi i Ligjit për Obiliqin, që e trajton këtë zonë me kujdes të veçantë për shkak të mjedisit dhe shëndetit. Po ashtu kërkojmë punësim të barabartë për banorët tanë, duke ditur dëmin që na shkaktohet nga termocentralet”, thonë nga Komuna e Obiliqit.

Për zhvendosjen e banorëve, nga Komuna e Obiliqit kanë thënë se është menaxhuar nga Ministria.

“Procesi është menaxhuar nga Ministria, ndërsa ne kemi asistuar me dokumentacion. Në rastin e Sibocit kemi ndihmuar për zhvendosjen e varrezave dhe sigurimin e parcelës së re.”

Banorët e Obiliqit e përjetojnë tranzicionin si premtim të pambërritur dhe njëkohësisht si rrezik për humbje të sigurive të pakta që kanë.

Sindikata e KEK-ut: “Nuk ka tranzicion. Dhe ne nuk e lejojmë”

Ndërsa qeveria flet për energji të pastër, Sindikatat e KEK-ut flasin për një realitet krejt tjetër. Kryetari i Sindikatës, Nexhat Llubnica, deklaron se si Sindikatë e KEK-ut nuk kanë shqetësime për tranzicionin energjetik, sepse në realitet nuk ekziston asnjë proces i tillë në Kosovë.

“Qëndrimi ynë është i qartë: ne nuk pajtohemi që të ndërpritet shfrytëzimi i këtij resursi të jashtëzakonshëm kombëtar – thëngjillit.”- tha ai.

Tutje Llubnica thekson rëndësinë e thëngjillit të cilin ai e quan pasuri të popullit dhe potencon faktin që sipas tij ky thëngjill është burimi i vetëm që garanton prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike, e veçmas tash kur Evropa po përballet me krizë energjetike.

“Nuk ka pasur dialog real, sepse as vetë Qeveria dhe as ne nuk besojmë se termocentralet do të mbyllen para vitit 2050. Projekte të tilla nuk mund të realizohen as teknikisht e as ekonomikisht pa pasoja të mëdha”, shton ai.

Llubnica jo veç që nuk pajtohet me një tranzicion potencial por tutje ai thotë së KEK është garancia e vetme.

“Sa kohë që KEK-u operon me Kosova A dhe B, ekziston garancia për punësim të qëndrueshëm dhe siguri energjetike. Pa këto kapacitete, Kosova rrezikon të mbetet e varur nga importet e shtrenjta. Ne nuk do të lejojmë mbylljen e termocentraleve për hatër të askujt. Shtyllat e pavarësisë energjetike nuk mund të rrezikohen.”

Përderisa, në anën tjetër Arben Gjukaj ish-kryeshef i KEK-ut, thekson se gjatë periudhës sa ai ishte pjesë e Korporatës, veçse kishte filluar numri i rënies se punëtorëve.

“Në kohën sa kam qenë aty është tentuar të investohet në teknologji dhe ka pasë rënie të numrit të punëtorëve, numri i punëtorëve ka rënë për rreth 1000 ose 1200 punëtorë”, shton ai.

Korporata Energjetike e Kosovës aktualisht numëron rreth 3,992 të punësuar, të shpërndarë në drejtorinë qendrore, divizione operative, termocentrale dhe sektorë mbështetës, duke përfshirë burimet njerëzore, IT-në, sigurinë fizike, logjistikën dhe marrëdhëniet me publikun. Sipas të dhënave zyrtare, numri i punonjësve ka qenë më i lartë në të kaluarën, me mbi 4,700 punonjës në vitin 2014 dhe mbi 4,300 në vitin 2017, duke reflektuar një trend gradual të zvogëlimit të stafit gjatë dekadës së fundit.

Sa i përket planeve për njësitë A4 dhe A5 të termocentralit Kosova A, KEK thotë se ende nuk ka vendime konkrete, pasi çdo vlerësim do të bëhet pas përfundimit të projekteve kapitale të modernizimit të njësive A3, B1 dhe B2. Sipas kompanisë, këto investime pritet të rrisin sigurinë e operimeve, të zgjasin jetëgjatësinë teknike të njësive për rreth dy dekada, të shtojnë kapacitetin prodhues për rreth 130 megavatë dhe t’i përafrojnë standardet mjedisore me kërkesat e Bashkimit Evropian. Paralelisht, KEK ka nisur procedurat e prokurimit për ndërtimin e një parku solar me kapacitet prej 100 megavatësh.

KEK gjithashtu thekson se nuk planifikon reduktim të stafit, duke argumentuar se një pjesë e madhe e punonjësve po dalin në pension për shkak të moshës mesatare relativisht të lartë dhe se kompania synon ta rifreskojë strukturën e stafit me kuadro më të reja dhe profile të specializuara, sidomos në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.

“Njëkohësisht, me hyrjen e fuqishme të KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, pritet të rritet nevoja për kuadro të reja profesionale dhe profile të specializuara, duke krijuar mundësi shtesë për punësim dhe zhvillim të kapaciteteve njerëzore”, thekson Skender Bucolli në përgjigjen me shkrim.

Qasja e sindikatës është e qartë, tranzicioni nuk shihet në horizont e në rast se ai ndodh duhet të jetë gradual, vetëm pasi të ketë alternativa të sigurta, dhe vetëm me garanci të forta për punëtorët.

Ekspertët: Tranzicioni është i domosdoshëm, por institucionet janë të papërgatitura

Egzona Shala-Kadiu, eksperte e mjedisit e njëkohësisht drejtoreshë e OJQ-së “EcoZ” pajtohet me teorinë që tranzicioni energjetik në Kosovë është i domosdoshëm, por realizueshmëria e tij mbetet e ndërlikuar. Pa një plan gjithëpërfshirës social dhe ekonomik, ai mund të hasë në rezistencë.

Ajo thekson se potencial ka e megjithatë pengesat janë serioze.

“Potenciali ekziston, sidomos në erë e diell. Por Kosova nuk ka datë për dalje nga qymyri, ka vetëm një projekt solar të shpallur fitues dhe ende të parealizuar, dhe mungon një ‘roadmap’ i vërtetë i tranzicionit. Pengesat teknike lidhen me mungesën e infrastruktures së re për integrimin e BRE-ve, mungesën e storage (baterive), dhe mungesën e dijes teknike në nivel qendror e komunal. Institucionet nuk koordinohen dhe nuk ekziston asnjë kornizë ligjore për ‘Tranzicion të Drejtë’.”

Pos tranzcionit si proces, Egzona Shala-Kadiu thotë që bazuar në matjet e bëra edhe nga EcoZ, çështja e punëtorëve të KEK-ut po ashtu është shqetësuese pasi që mbi 90% e punëtorëve kanë deklaruar se as nuk marrin informata për proceset në kompani.

E në rastin tjetër, nëse ky tranzicion energjetik dështon së realizuari, nëse do të fillojë të marr formë, Shala-Kadiu thotë që në ketë version rreziqet do të jenë serioze.

“Nëse dështojmë, Kosova mbetet e varur nga qymyri, me pasoja për shëndetin, mjedisin, imazhin ndërkombëtar dhe tregtinë me BE. CBAM nga 2026 sjell dënime të mëdha. Do të humbin fonde dhe do të thellohet pabarazia sociale”, shton ajo.

Sugjerimi i duhur sipas saj është praktika evropiane si ‘transition hubs’ në Poloni/Çeki dhe modele të përfshirjes së hershme të komuniteteve si në Gjermani.

Shtetet si Çekia kanë nisur ripërdorimin e tokave të degraduara nga minierat e qymyrit për instalimin e paneleve diellore ose për zhvillim të infrastrukturës së gjelbër. Raportet e Komisionit Evropian tregojnë se ripërdorimi i tokave industriale të shkatërruara jo vetëm sjell energji të pastër, por hap mundësi të reja të punësimit lokal, pa konkurruar me tokën bujqësore ose hapësirat e banuara. Ky model është i zbatueshëm edhe në Kosovë, sidomos në zonat e degraduara rreth KEK-ut, ku tashmë janë të dokumentuara mijëra hektarë tokë të prekura nga depozitat e hirit dhe eskavimet.

Nga një perspektivë tjetër, eksperti i energjisë Adhurim Haxhimusa e sheh problemin tek boshllëqet institucionale. “Strategjia është shkruar mirë, por ka mungesa profesionale dhe pengesa administrative,” thotë ai. Sipas tij, mungesa e koordinimit ndërmjet ministrive dhe vonesat në planifikim hapësinor e bëjnë tranzicionin “një proces që ekziston vetëm në dokumente.” Ai shton: “Pas dy vitesh nga miratimi i strategjisë, investimet e premtuara nuk janë realizuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.”

Haxhimusa thekson se me hyrjen në fuqi të mekanizmit CBAM në Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet prapa: “Produktet kosovare do të tatohen në kufi për shkak se Kosova nuk ka ende taksë karboni. Kjo do të thotë kosto më të larta dhe më pak konkurrencë.” Për të, “strategjia e qeverisë nuk është realiste” pa plane konkrete për mbylljen graduale të termocentraleve dhe tranzicionin e punëtorëve.

Një studim i publikuar nga MDPI thekson se tranzicioni i drejtë nuk mund të kopjohet nga një vend në tjetrin si model standard. Ai duhet të jetë ‘place-based’, domethënë i përshtatur me identitetin, strukturën sociale, kulturën, dhe varësitë ekonomike të një zone specifike. Në rastin e Kosovës, kjo nënkupton se Obiliqi ka nevojë për një strategji tranzicioni të veçantë – të ndryshme nga ajo e Kosovës Lindore, apo zonave industriale tjera – pasi historia, profili i punësimit dhe barrën mjedisore e ka unike.

Në një analizë të INDEP, një frazë bie në sy: “Tranzicioni energjetik pa tranzicion social është i paqëndrueshëm.” Ajo tingëllon si paralajmërim për një vend që rrezikon të krijojë një ekonomi të re energjetike, por me pabarazitë e vjetra. Raportet e tjera, si “Beyond Coal: Investing in Kosovo’s Energy Future” nga IEEFA, e përforcojnë këtë ide, duke theksuar nevojën që investimet në teknologjitë e pastra të shoqërohen me programe punësimi dhe mbështetje për komunitetet që humbasin rolin e tyre tradicional në industrinë e energjisë.

Studimet e Bankës Botërore, Komisionit Evropian dhe organizatave të specializuara në tranzicionin e drejtëtregojnë se tranzicionet që fokusohen vetëm në teknologji dhe jo tek njerëzit kanë dështuar në Bullgari, Rumani dhe disa rajone të Polonisë. Prandaj, tranzicioni energjetik konsiderohet i paqëndrueshëm nëse nuk shoqërohet me ri-aftësim të punëtorëve, mbështetje ekonomike për familjet e prekura dhe plane të zhvillimit lokal që e zëvendësojnë rolin ekonomik të qymyri.

Sipas profesor Zeqir Veselajt, që ka studiuar ndikimet mjedisore të industrisë së energjisë, “zona përreth KEK-ut tashmë është e ndarë mes atyre që kanë përfituar ekonomikisht në të kaluarën dhe atyre që po bartin pasojat e ndotjes.” Ai thotë se tranzicioni “do të kishte kuptim vetëm nëse nënkupton përmirësim të kushteve socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve.” Por për momentin, shton ai, “komunitetet e Obiliqit nuk kanë përfituar asgjë domethënëse nga dispozitat e Ligjit për Obiliqin që parashihnin ndihmë për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.”

Veselaj e quan situatën “tranzicion në pritje” dhe e lidhë atë me mungesën e vullnetit për zbatim të politikave që tashmë ekzistojnë. Ai paralajmëron se nëse trendi aktual vazhdon, “emigrimi nga zonat e prekura është i pashmangshëm,” duke kujtuar rastet e zhvendosjeve në fshatra si Hade dhe Siboc.

Tranzicioni në pritje

“Përplasja” ndërmjet asaj që deklaron Ministria dhe asaj që konstatojnë ekspertët është e qartë. Në dokumente, tranzicioni ka nisur ndërsa në realitet, ai ende nuk po ndodh. Planet për energjinë e erës janë në proces ofertash, ndërsa për punëtorët e KEK-ut nuk ekziston plan i qartë për ri-integrim apo rikualifikim. Për komunitetin e Obiliqit, tranzicioni mbetet më shumë “ëndërr e gjelbër” sesa proces i drejtë.

Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Agjencisë Evropiane të Mjedisit tregojnë qartë se rajonet që varen nga qymyri kanë nivele më të larta të sëmundjeve respiratore, kardiovaskulare dhe vdekjeve të parakohshme. Në raportet e tyre, një nga rekomandimet kryesore është që qeveritë të krijojnë fonde të posaçme shëndetësore për komunitetet e ekspozuara për dekada me ndotje të lartë, një praktikë që disa shtete e kanë bërë, por që në Kosovë ende mungon.

Edhe vetë dokumentet institucionale e pranojnë se korniza nënligjore për shkarkimet në ajër është vetëm pjesërisht e përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën për Emetimet Industriale dhe atë për impiantet me djegie të mesme. Kjo nënkupton se tranzicioni energjetik në Kosovë nuk përballet vetëm me sfida teknike, por edhe me boshllëqe strukturore në zbatim, koordinim dhe drejtësi sociale.

Sipas Green Energy Kosova, me ritmin aktual të investimeve, objektivat e Strategjisë së Energjisë nuk janë realiste. Dominimi i projekteve të vogla fotovoltaike, mungesa e kapaciteteve të mëdha dhe mungesa e baterive në shkallë të gjerë e bëjnë tranzicionin më shumë aspiratë sesa proces real.

Kosova mund të ketë strategji për energjinë në të ardhmen, por për momentin, tranzicioni mbetet vetëm si fjalë që ende nuk është bërë realitet.

Të ngjashme