Adama Traore insiston se nuk ngre fare pesha, ndonëse fiziku i tij impresiv jep një tjetër përshtypje. Sulmuesi i krahut këtë edicion po impresionon me paraqitjet në Premier League te skuadra e Wolverhamptonit. Por, pos lojërave të mira, kohët e fundit në sy po bie dukshëm edhe fiziku i tij.
Kjo ka bërë që tifozët dhe adhuruesit e futbollit të dyshojnë se Traore vazhdimisht ngre pesha, por 23-vjeçari ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Ka thënë se kurrë nuk ka ngritur pesha për të formuar fizik të tillë, thotë se forca e tij është gjenetike. Insiston se gjithçka është natyrale në trupin e tij, shkruan sot Koha Ditore.
“Ushtrimet e mia? Unë bëj ushtrime si çdo futbollist tjetër, por nuk ngre fare pesha. Ndoshta është vështirë të besohet, por unë nuk ngre pesha. Gjithçka është gjenetike. Unë stërvitem, por shtoj masë trupore shumë shpejt dhe ky ndoshta është problemi që të gjithë mendojnë se ngre pesha”, është shprehur Traore. “Unë kam mentalitet të fortë të punës, pasi mundohem që të stërvitem maksimalisht për të qenë në formë sa më të mirë. Por, nuk stërvitem me pesha dhe për këtë i siguroj të gjithë”.
Këtë edicion, Traore është njëri prej futbollistëve më të dalluar te Wolvesi, që po lufton për një vend që dërgon në garat evropiane sezonin tjetër. Ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë shtatë asistime në 30 ndeshje në të gjitha garat.