Hapat që do të duhej të mirreshein diku në gusht shtator të këtij viti për ta kaluar më lehtë terrin të cilin po e kalojmë tani, do të duhej të fokusoheshin në stabilizimin e prodhimit të brendshëm, menaxhimin e konsumit, dhe sigurimin me një çmimi të përballueshëm të importit.
Te tre këta hapa kërkojnë planifikim dhe analizim të mirëfilltë dhe nuk mund të bëhen ad hoc.
Ta marrim secilën nga këto pika dhe të shohim se si do të mund të menaxhohej më mirë.
Kosova operon me termocentrale të stërvjetëruara të cilat mbahen gjallë falë kontributit dhe përvojës së pashoq të punëtorëve të KEK. Këto termocentrale kërkojnë mirëmbajtje të kujdesshme dhe të vazhdueshme. Nëse këto fakte janë të ditura, atëherë menaxhmenti i KEK do të duhej të siguronte që të gjitha mirëmbajtjet e nevojshme të kryhen gjatë muajve gusht, shtator, tetor, pra para fillimit të motit të ftohtë kur rritet konsumi. Gjatë këtyre muajve, ka mundur që mungesa e prodhimit nga KEK të mbulohet nga importi sepse edhe çmimet kanë qenë më të lira.
Ndalja e blloqeve të termocentraleve tani është e kushtueshme e këtë po besoj po e shohim të gjithë.
Të gjithë jemi dëshmitarë që ministrja Rizvanolli thirrjen e parë për menaxhimin e krizës energjetike e pati për kursim. Madje këto thirrje u bënë groteske kur filloi të spjegojë operimin e joystikave. Por ulja e konsumit nuk bëhet përmes ca thirrjeve gjysëm humoristike të cilat më tepër ngrisin neveri se gatishmëri për kursim atëherë kur fillon të ndalet rryma.
Por nëse diku në gusht-shtator, ministrja do ta kishte parë situatën me seriozitetin e merituar, atëherë do të kishte mundur të përgadiste një plan të mirëfillt të uljes së konsumit, duke e bërë qytetarin dhe biznesin partner në këtë iniciativë. Koha e cila në industri njihet si peak, fillon nga ora 5 deri rreth orës 11. Nëse do të konsultoheshin ekspertët e fushës, atëherë do të mund të bëhej një plan ku një pjesë e konsumit të kësaj kohe të bartet në orë të natës, atëherë kur konsumi bie. P.SH disa biznese prodhuese do të mund të punonin gjatë natës, kur konsumi është më i ulët apo edhe mënyra tjera të cilat do të mund të identifikoheshin nëse do të harxhohej kohë për ti gjetur ato mundësi.
Por sërish kjo kërkon një planifikim, organizim dhe menaxhim të mirëfillt që nuk bëhet për 2-3 ditë.
E treta, sigurimi i importit me çmim të volitshëm. Qeveria do të mund të ofronte garancionet e nevojshme për të siguruar sasi të energjisë për të mbuluar importin gjatë muajve të dimrit. Kosova importon çdo dimër. Sasia e nevojshme pak a shumë dihet. Sektori energjetik ka ekspertizë të mjaftueshme, të cilët kanë mundur të sigurojnë kontrata afatgjata me çmime më të volitshme. Me sa di, madje ka pasur rekomandime të tilla por të cilat fatkeqsisht kanë hasur në vesh të shurdhur të qeverisë.
Pasiqë nuk është bërë një gjë e tillë atëherë, sot jemi të deturuar të blejmë energji si në pazar, pra sa të shitet sepse alternativë është lënia e qytetarëve në terr.
E kuptoj dhe e mirëkuptoj ankesën e qeverisë se qeveritë e deritanishme kanë dështuar të ndërtojnë kapacitete të reja prodhuese, dhe personalisht mendoj që ky është krimi më i madh ekonomik që i është bërë qytetarëve nga klasa politike që nga paslufta e këndej. Por ky është debat për një dimër tjetër. Këtë dimër duhet të merremi me atë se si ta zbusim terrin.