Tre persona janë vrarë pasi një bazë ushtarake në Irak, me trupa amerikane dhe britanike, është goditur me raketë.
Të paktën 12 persona janë plagosur pas sulmit në kampin ushtarak Taji në veri të Bagdadit.
Burimet ushtarake amerikane kanë thënë se një ushtar amerikan, një kontraktor po ashtu amerikan dhe një ushtar britanik kanë mbetur të vdekur.
Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, transmeton BBC.
Tensionet janë përshkallëzuar prej vrasjes së komandantit iranian, Qasem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara përmes një sulmi me dron në janar të këtij viti.
Një sulm hakmarrës iranian ndaj bazës tjetër që strehon trupa ushtarake, al-Asad, më 8 janar, pati lënë më shumë se 100 ushtarë me lëndime traumatike në kokë.
Megjithatë, edhe Irani edhe Shtetet e Bashkuara ishte menduar se kanë përmbyllur atë çështje dhe nuk ka pasur konflikte tjera të ngjashme më vonë.
Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Siri, ka konfirmuar se 18 raketa kanë sulmuar bazën dhe se tre pjesëtarë të koalicionit janë të vdekur.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, ndërkohë që as Shtetet e Bashkuara dhe as Britania nuk kanë përmendur fajtorin.
Në të kaluarën, Uashingtoni ka akuzuar fraksionet e përkrahura nga Irani në Irak për sulme të tilla.