Tre shokë dhe një kryeministër: Përralla e qeverisjes në rrjedhën pa kohë

Prishtinë | 30 Dhj 2024 | 18:22 | Nga Baton Haxhiu

Intervista në “Rrjedha” më shumë i ngjante një takimi të rastësishëm mes tre shokësh që diskutojnë hallet dhe qejfet e tyre në një kafene, sesa një platforme serioze për t’iu adresuar problemeve të qytetarëve.

Njëri fliste si i shqetësuar për gjumin e Kryeministrit, tjetri si kurioz, ndërsa kryeministri dukej sikur po lexonte nga një fletore plot justifikime dhe fraza të thata për ta mbajtur bisedën gjallë. Në këtë “mbledhje miqsh,” publiku nuk dëgjoi zgjidhje, plane apo përgjegjësi – dëgjoi vetëm një recital të pafund arsyetimesh që ngjanin më shumë me një komedi absurde, se sa një intervistë serioze.
Kosova pret zgjidhje, por mori një shfaqje pa kuptim.

Një kryeministër që pranon hapur se nuk ka plan për katër vitet e ardhshme, që nuk mund të përballojë krizën energjetike dhe që nuk arrin të trajtojë sistemin e drejtësisë përveçse me përçmim, duket më shumë si një personazh me sjellje nga një përrallë e absurditetit politik. Për t’u bërë më i kuptueshëm, mund ta krahasojmë me mbretin e zhveshur nga përralla: një lider që shëtit me vetëbesim përpara popullit të tij, ndërsa të gjithë mund të shohin se ai është lakuriq.

Në intervistë, Kurti e portretizoi veten si një lider që rron nga konflikti – “Po nuk më sulmuan, unë rrëzohem,” deklaroi ai, duke përmbledhur gjithë filozofinë e tij politike.

Ai e di se qeverisja reale, me plane konkrete dhe përgjegjësi, është tepër e ndërlikuar për të, ndaj mbështetet tek krijimi i armiqve imagjinarë. Herë është Serbia, herë janë institucionet e drejtësisë në Kosovë, e herë është Edi Rama, një “tradhtar” që, sipas tij, po ia prish rrjedhën e historisë kombëtare.

Në mungesë të projekteve apo arritjeve, ai zgjedh të krijojë skena dramatike, ku mund të luajë rolin e heroit të vetëm kundër gjithë botës. Një retorikë e tillë nuk është vetëm e kotë, por edhe komike kur merret në kontekstin e një vendi aq të vogël që mezi garanton furnizim me energji elektrike për qytetarët e tij.

Kur e dëgjon të thotë se Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Brukselit janë “të vjetëruara,” sepse BE-ja nuk ka bërë asgjë për t’i zbatuar, nuk mund të mos mendosh për Don Kishotin, që luftonte me mullinjtë e erës duke besuar se ishin gjigantë. Por, ndryshe nga Don Kishoti, i cili ishte një idealist i sinqertë, Kurti duket më shumë si një lider që e di se mullinjtë nuk janë gjigantë, por gjithsesi zgjedh t’i sulmojë për të krijuar një spektakël. Ai përpiqet të bindë publikun se fuqia e tij është e madhe, edhe pse është e qartë se ai është një lider i brishtë, i cili rron nga tensionet dhe përplasjet.

Deklaratat e tij për sistemin e drejtësisë janë një përzierje përçmimi dhe injorance. Ai sulmon prokurorët si “kërmij” që nuk veprojnë, por njëkohësisht shfaqet i paaftë për të propozuar reforma të qëndrueshme. Në një mënyrë ironike, ai duket se po i thotë qytetarëve: “Unë nuk mund t’i fus hajnat në burg, por më votoni prapë dhe mos më bëni pyetje”.

Kjo është politika e tij në një fjali: një kombinim i ndjekjes së pushtetit absolut dhe mungesës së përgjegjësisë. Madje, ai guxon të krahasojë Kosovën me Gjermaninë për të justifikuar dështimet, duke harruar se qytetarët nuk jetojnë me metafora, por me faturat e energjisë që nuk mund të paguajnë.

Kur të gjitha këto kombinohen, Kurti shfaqet si një personazh grotesk i një rrëfimi të pafund, ku arroganca është zëvendësuese për rezultatet. Si mbreti i zhveshur, ai mund të bindë disa njerëz se ka veshur rrobat më të bukura, por në fund të fundit, çdo qytetar i Kosovës e di të vërtetën: në këtë moment, vendi ka më shumë nevojë për një lider me rroba pune, se sa për një mbret që shëtit lakuriq në rrugë, duke shpresuar se askush nuk do të guxojë ta thotë me zë të lartë.

As vetë Blerim Isufaj si kryeprokuror…

Problemi është se edhe vetë Albin Kurti duket se e di se po i mbaron koha politike, prandaj shpreson që sulmet dhe konfliktet do ta mbajnë në këmbë. Por, realiteti është i pamëshirshëm: qytetarët me 9 shkurt do të kërkojnë më shumë se sa fjalë dhe premtime boshe, dhe atëherë, rrëfimi i tij nuk do të jetë më as qesharak. Do të jetë thjesht tragjik. Dhe komik, për nga fjalori që ka lënë në trashëgimi.

Dhe sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte për të nxjerrë në pah absurditetin e liderit që mburret me mungesën e përqendrimit, Albin Kurti deklaroi se gjatë mbledhjes së dy kuvendeve – një ngjarje historike që duhej të mishëronte unitetin dhe vizionin e kombit – ai nuk kishte mendjen fare tek ajo që po diskutohej, por ishte i zhytur në mendime për një marrëveshje për lojërat olimpike.

Kjo nuk është vetëm tragjike; është një tallje me pritjet e qytetarëve dhe seriozitetin e përgjegjësisë që ai mban.

Një kryeministër që e pranon se nuk i intereson se çfarë ndodh në forumet më të larta të kombit, për të mbetur i zhytur në margjinalitete, nuk është lider.

Është thjesht një protagonist i një komedie tragjike, ku roli i tij i vetëm është të tregojë se sa larg realitetit mund të qëndrojë një njeri me pushtet.

Të ngjashme