Policia e Kosovës (PK) njofton se tre persona janë arrestuar nën dyshimin për mashtrim. Dy prej tyre u dërguan në mbajtje.
Sipas Policisë, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve Financiare-DHKEK të martën kanë kryer bastisje në një shtëpi, pronë e të dyshuarit R.D., dhe i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Mashtrim”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Policia njofton se lidhur me rastin ka kërkuar në shtëpitë e tyre edhe dy të dyshuar të tjerë të cilët nuk janë gjetur, por që më vonë janë paraqitur në zyrat e policisë.
“Të dyshuarit në bashkëveprim kanë mashtruar viktimat e gjinisë femërore (dhjetë prej tyre) të gjitha ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut duke ju premtuar donacion në emër të integrimit të tyre në shoqërinë Kosovare”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se viktimat janë bindur që të aplikojnë për marrjen e donacioneve në një Institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë duke iu prezantuar se ato do të marrin donacion, por që në realitet kanë nënshkruar kontrata për kredi në vlerë prej 4,500.00 deri në 5,000.00 euro.
“I dyshuari me iniciale (R.D.) ka identifikuar viktimat dhe dërguar ato në institucionin mikrofinanciar për aplikim. I dyshuari me iniciale (V.G.) zyrtar në institucionit mikrofinaciar ka përpiluar dosjen dhe kontratat, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.H.) ka aprovuar kreditë në cilësinë e menaxherit të këtij institucioni”, njofton Policia.
Aty thuhet se pa daljes së mjeteve në llogaritë bankare të palëve ankuese, i dyshuari R.D., ka shkuar së bashku me palët në banka duke tërhequr mjete më pas të gjithave iu ka dhënë nga 500.00 euro, ndërsa mjetet tjera i ka marrë në emër të pagesave për zyrtarët të cilët i kanë kryer shërbimet.
“Palët ankuese e kanë kuptuar mashtrimin në kohen kur institucioni mikrofinaciar ju ka kërkuar atyre fillimin e pagesave të kredisë. Deri më tani janë intervistuar 10/persona palë të dëmtuara, ku vlera e dëmit llogaritet të jetë 45,000.00 euro. Dy të dyshuarve me iniciale (R.D.) dhe (V.G.) me vendimin e prokurorit të lëndës nga PTH-Prishtinë ju është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa i dyshuari i tret me iniciale (A.H.) është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
Bëhet e ditur se të gjitha veprimet, përfshirë masat e veçanta të hetimit janë kryer nën mbikëqyrje dhe koordinim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe vendimet tjera do të ndërmerren në bashkërendim të plotë.