Në mëngjesin e sotëm tre persona janë arrestuar nga hetuesit e EULEX-it me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës, raporton Ekonomia Online.
Sipas raportimeve të arrestuarit janë dërguar në zyrat e EULEX në Fushë Kosovë, si dhe se pritet dërgimi i tyre për në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se po kryen operacione në Kosovë. Sipas ZPS-së, procesi hetimor përqendrohet në vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare, ZPS ka thënë se operacionet janë autorizuar nga ana gjyqësore e Dhomave të Specializuara dhe janë mbështetur nga EULEX-i.
Specialja ka arrestuar të enjten ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj. Gjithashtu është arrestuar ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu. Ndërkaq, është raportuar edhe për arrestimin e Bashkim Smakajt.