Tre personat të cilët janë plagosur në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla për teve1.info tha se të tre të plagosurit janë duke u trajtuar në Kliniken e Ortopedisë, duke mos dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të tyre.
Ndryshe nga ky rast ka mbetur i vrarë një 39 vjecarë dhe tre të tjerë janë plagosur.
Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka thënë Zahiti.
Zahiti tha se ka hetimet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë ai më tutje.