Tre të vdekur gjatë protestave kundër shtrenjtimit të miellit e rrymës në Kashmir

Prishtinë | 14 Maj 2024 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Dhuna ka shpërthyer në protestat kundër rritjes së çmimeve në Kashmirin e administruar nga Pakistani, duke lënë tre të vdekur e 100 të lënduar, thonë autoritetet, përderisa trazirat të martën hynë në ditën e pestë.

Mijëra njerëz kanë dalë rrugëve nga e premtja për të protestuar kundër shtrenjtimit të miellit dhe rrymës raporton televizioni BBC.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, të hënën ofroi subvencione në vlerë të 23 miliardë rupive (83 milionë dollarë), por kjo masë nuk e ndërpreu kryengritjen.

Protestat janë shpeshtuar nga fundjava, duke i nxitur autoritetet që t’i ndërpresin shërbimet telefonike. Janë pezulluar edhe mësimi në shkolla, transporti publik dhe puna e bizneseve.

Arrestimi i udhëheqësve të protestave e ka nxitur edhe më shumë kryengritjen. Të hënën, autoritetet dërguan trupa paraushtarake në kryeqytetin rajonal, Muzaffarabad.

Në pamje shihen të dyja palët duke e goditur njëra-tjetrën me shufra. Raportohet se trupat paraushtarake kanë përdorur edhe plumba e gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Autoritetet thanë se në mesin e të vdekurve është edhe një polic. Agjencia AFP raportoi se të paktën dy prej viktimave kanë vdekur nga plagët e armëve të zjarrit, duke cituar një mjek.

Pjesa e Kashmirit që administrohet nga Pakistani është rajon gjysmë-autonom me qeveri rajonale.

Kashmiri ka qenë burim konflikti mes Indisë dhe Pakistanit për më shumë se 70 vjet. Të dyja shtetet pretendojnë se rajoni u takon atyre dhe kanë zhvilluar dy luftëra për të. Sot, secili shtet kontrollon vetëm pjesë të caktuara të Kashmirit.

Të ngjashme