Tetë gola e pesë asistime është bilanci i Veton Berishës këtë edicion. Zymer Bytyqi ka tre gola e gjashtë asistime, kurse Ylldren Ibrahimaj ka tre gola e tri asistime.
Forca ofensive e skuadrës norvegjeze Viking përbëhet nga futbollistët kosovarë.
Në ndeshjen e fundit të fituar 3:2 ndaj Moldes, të tre lojtarët dhanë kontribut të madh. Ibrahimaj kishte një gol e një asistim, Berisha realizoi një gol, kurse Bytyqi ndihmoi me dy asistime.
Molde është e dyta në tabelë, kurse Vikingu i dhjeti.
Sidomos paraqitja e Ibrahimajt në këtë ndeshje është vlerësuar shumë lart. 24-vjeçari vlerësohet kandidat për Përfaqësuesen e Kosovës. Madje ishte ftuar nga Bernard Challandes për ndeshjet e qershorit të vitit të kaluar. Por nuk ishte në ekip pasi nuk e kishte dokumentacionin e kompletuar. Dokumentacioni iu kompletua në gusht të vitit të kaluar, kurse mesfushori Ibrahimaj (24) debutoi në janar të këtij viti në miqësoren ndaj Suedisë. Të dy përfaqësueset luajtën me lojtarë kandidatë.
Edhe Zymer Bytyqi (23) ka luajtur në atë ndeshje të janarit. Ai ishte pjesë e Kosovës edhe në takimin historik ndaj Haitit, në vitin 2014. Por më pas luajti për të rinjtë e Norvegjisë.