Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masës së përkohshme prej 30 për qind të vlerës doganore për të gjitha pemët dhe perimet që hyjnë në Kosovë, konsiderohet diskriminues dhe i padrejtë nga ana e Shoqatës së Tregtarëve të Pemëve dhe Perimeve.
Kjo Shoqatë ka kërkuar nga MTI-ja që të ndryshojë vendimin e marrë ose në të kundërtën ka paralajmëruar protesta dhe largim nga puna të punëtorëve, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas tyre, vendimi i tillë ka një kosto të paparaparë, për shkak se mallrat janë kontraktuar para sezonit dhe se vlerësimi i bërë nga ana e Ministrisë është i gabueshëm.
Edhe përfaqësuesit e bizneseve, ndonëse janë për mbrojtje të prodhuesve vendorë, kanë kërkuar që vlerësimet të bëhen bazuar në kërkesa të konsumatorëve, pasi në të kundërtën sipas tyre, do të ketë rritje të çmimeve të produkteve në fjalë, njëkohësisht pamundësi të përmbushjes së nevojave të konsumatorëve.
MTI-ja ditë më parë ka marrë vendim për masa mbrojtëse ndaj pemëve dhe perimeve, i cili pritet të hyjë në fuqi më 18 korrik. Për zbatimin e këtij vendimi, nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se janë në pritje të disa udhëzimeve nga Qeveria e Kosovës dhe të mërkurën do të fillojnë me zbatimin e vendimit.