Tregu evropian i automobilave rritet në tremujorin e parë

Prishtinë | 26 Pri 2018 | 13:13 | Nga

Tregu evropian i automobilave ka shënuar rritje për 0.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Numri i automjeteve të shitura në 28 vendet anëtare të BE-së dhe në vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) ka arritur në 4.92 milionë gjatë tre muajve të parë, nga 4.88 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2017, sipas statistikave të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve.

Shoqata thotë se Hungaria shënoi rritjen më të lartë vjetore në periudhën janar-mars, me 28.8 për qind, e ndjekur nga Bullgaria me 25.7 për qind dhe Greqia me 25.5 për qind.

Në periudhën tremujore, Turqia regjistrohet si tregu i tetë më i madh i automobilave në Evropë, me 163,358 vetura të shitura, duke u rritur me 2.18 për qind nga viti në vit, raporton Anadolu Agency.

Ndërkohë, tregu evropian i automobilave pa një rënie prej 4.9 për qind në muajin mars, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Në mars të këtij viti janë shitur 2.1 milion automjete, nga 2.2 milionë sa janë shitur në mars të vitit 2017.

Të ngjashme