Trëndafilova: Do të sjellim drejtësi për të gjithë

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 21:22 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Dhomave të Specializuara, (Gjykata Speciale), Ekaterina Trëndafilova, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin Ballkan në të cilën ka dhënë përgjigje për një numër pyetjesh.

A do të ketë arrestime të tjera; a po bashkëpunon gjykata speciale me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; a do të përdorë gjykata provat e servirura nga Serbia dhe në fund të fundit, a do të japë ajo drejtësi?

INTERVISTA E PLOTË

BALLKAN: Ka pasur argumente në lidhje me mungesën e juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Sipas avokatëve mbrojtës të zotit Thaçi, asnjë nga pikat e ngritura në aktakuzë nuk ka të bëjë me pretendimet e Raportit të Këshillit të Evropës. Ata argumentojnë se Dhomat e Specializuara u krijuan për të hetuar ato akuza. Si do t’i përgjigjeshit kësaj?

TRËNDAFILOVA: Para së gjithash, dua t’ju falënderoj znj. Karadaku – shpresoj ta kem shqiptuar siç duhet emrin tuaj – që më keni ftuar për këtë intervistë, dhe me kënaqësi do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve që keni. Le të fillojmë me të parën.

Fillimisht, para se t’i përgjigjem konkretisht pyetjessuaj, dua të sqaroj diçkaqë është shumë e rëndësishme për dy institucionet tona, përkatësisht Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Këto janë dy institucione të ndara dhe plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra.

Ato kanë natyrë, strukturë, kompetenca dhe përgjegjësi të ndryshme.

Siç dihet, dhe kështu ndodh në çdo sistem të drejtësisë penale, qoftë vendor ose ndërkombëtar, forca shtytëse është gjithmonë Prokuroria.

Pra, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është një përjashtim në këtë aspekt dhe Prokurori i Specializuar është ai që ka autoritetin ekskluziv – organi i vetëm që ka autoritetin të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të vendosë kundër kujt do të ngrejë akuza Zyra e Prokurorit.

Domethënë, Dhomat e Specializuara nuk luajnë asnjë rol në këtë aspekt. Dhe ne kemi vetëm përgjegjësinë – e cila është krejt e ndryshme nga ajo e Prokurorit të Specializuar – që të gjykojmë atë çfarë na paraqitet dhe të marrim vendim mbi bazën e vlerësimit nëse akuzat e Prokurorit mbështeten nga prova të forta.

Mbi atë bazë të marrim vendimin nëse ata që janë nxjerrë para përgjegjësisë, do të shpallen fajtorë ose të pafajshëm.

Duke mbajtur parasysh këtë, përkatësisht këto dallime kryesore midis dy institucioneve tona, do t’i përgjigjem pyetjes suaj konkrete duke thënë se ishte vendim i pavarur i Prokurorit të Specializuar që të ngrinte ato akuza, kundër atyre të akuzuarve, në çështjet aktualisht para Dhomave të Specializuara.

Dhe akuzat, siç e dimë të gjithë, tashmë janë konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake. Dhe të akuzuarit kanë të drejtë të bëjnë parashtrime të shumta, ndër të tjera të kundërshtojnë edhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Tani ka një kundërshtim të juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, që është parashtruar nga Mbrojtja e z. Thaçi dhe është aktualisht për shqyrtim para Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

Dhe natyrisht duhet të presim që Gjykatësi i Procedurës Paraprake të marrë vendimin e tij, dhe ai është i vetmi autoritet që mund të shqiptojë një vendim në lidhje me këtë kundërshtim.

Nuk më takon mua e askujt tjetër të ndërhyjë në këtë vendimmarrje dhe ne nuk mund të kemi ndonjë mendim në lidhje me këtë, sepse gjykatësi do të vendosë për këtë në mënyrë plotësisht të pavarur, të paanshme dhe të drejtë.

Dhe ne do të presim për të parë vendimin e tij.

BALLKAN: Ka pasur spekulime për një lloj lidhje midis kohës së ngritjes së aktakuzave dhe zhvillimeve politike në Kosovë. Sa imune janë Dhomat e Specializuara kur bëhet fjalë për ndikimin politik?

TRËNDAFILOVA: Tashmë e kam shpjeguar dallimin midis dy institucioneve, institucioneve tona të pavarura. Dhe, i takon Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të vendosë jo vetëm kundër kujt të ngrejë akuza dhe për cilat krime, por edhe kur të dorëzojë aktakuzën.

Dhe pyetja e dytë, pjesa e dytë e pyetjes suaj, ka të bëjë me ndikimin politik. Më duhet posaçërisht të theksoj se mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk ka asnjë ndikim ose ndërhyrje politike.

Në këtë kontekst, është gjithashtu me rëndësi të theksohet, të nënvizohet se pavarësia e gjykatësve është parim themelor i profesionit të gjykatësit. Ajo pasqyrohet në të gjitha instrumentet ndërkombëtare dhe rajonale që lidhen me gjyqësorin, sikurse pasqyrohet edhe në betimin solemn që ne si gjykatës të Dhomave të Specializuara të Kosovës bëjmë para se të marrim detyrën.

Ky betim është me rëndësi thelbësore për secilin prej nesh. Ai ka domethënie të madhe për secilin gjykatës dhe na udhëzon në çdo hap që marrim gjatë punës sonë të përditshme gjyqësore.

Ne, gjykatësit e Dhomave të Specializuara, kryejmë detyrat tona siç e dikton Ligji – në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe duke respektuar plotësisht standardet universale në lidhje me statusin e gjykatësve.

Gjykatësit janë të varur, por ata varen vetëm nga ligji dhe nga provat e paraqitura në çështjen gjyqësore nga secila palë, nga palët.

Dhe është po aq e rëndësishme të ceket se pavarësia e gjykatësve është një parakusht i domosdoshëm për të sjellë drejtësi. Pa gjykatës të pavarur, nuk mund të bëhet drejtësi.

Përgjigjen time ndaj kësaj pyetjeje do ta përfundoj duke thënë se kalibri më i lartë i gjykatësve të cilët janë në Regjistrin e gjykatësve të Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe integriteti i tyre i dëshmuar gjatë gjithë përvojës profesionale të tyre, më japin besim të plotë se njerëzit do të binden që Dhomat e Specializuara ndajnë drejtësi në mënyrë të pavarur, pa u ndikuar nga asnjë ndërhyrje gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, në një mjedis të sigurt.

Dhe jam e sigurt se ata që ndjekin procedurat tona gjyqësore – ata njerëz tashmë po binden për pavarësinë dhe përkushtimin tonë të plotë ndaj drejtësisë, dhe kjo do të realizohet në proceset e ardhshme.

BALLKAN: Dhomat e Specializuara merren vetëm me krime të pretenduara të kryera nga ish-anëtarët e UÇK-së. Ka njerëz që thonë se ju po shënjestroni vetëm njërën palë. Çfarë do të thoshit për këtë?

TRËNDAFILOVA: Kjo pyetje na bëhet shpesh. Meqë më herët shpjegova dallimin midis dy institucioneve tona të pavarura, dua të sqaroj pikat e mëposhtme:

Së pari, vendimi se kundër kujt ngrihen akuza merret nga Prokurori i Specializuar, dhe nëse do të ketë raste të tjera në të ardhmen, do të jetë e njëjta gjë në lidhje me këdo që Prokurori vendos të nxjerrë para përgjegjësisë. Zyra e tij është forca shtytëse dhe ne gjykatësit, pasi të kemi marrë në shqyrtim çështjen e prokurorisë, do të gjykojmë vetëm atë çfarë na është paraqitur.

Së dyti, dhe kjo është një çështje parimore, vendimi i çdo prokurori se kundër kujt dhe për cilat krime ngre akuza, varet nga provat që janë në dispozicion si rezultat i hetimit. Kështu që, besoj se kjo vlen edhe për Prokurorin e Specializuar.

Dhe së treti, është me shumë rëndësi të kujtojmë se Dhomat e Specializuara merren vetëm me përgjegjësinë penale të individëve për krimet që akuzohen të kenë kryer, pavarësisht organizatës të cilës i përkasin dhe kauzës së asaj organizate.

Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk merren me – këtë duhet ta theksoj dhe e kam theksuar në shumë raste – se ne nuk merremi me përgjegjësinë e grupeve, bashkësive etnike ose organizatave. Ky parim pasqyrohet qartë në Ligjin tonë – Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar -dhe ne e respektojmë Ligjin. Dhe Ligji, në nenin 16 të tij, dikton që ne të merremi me “përgjegjësinë penale individuale”.

Dhe kjo pasqyrohet edhe në aktakuzat e konfirmuara nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake.

Do të këshilloja, znj. Karadaku, që njerëzit që janë të interesuar për veprimtarinë tonë, për punën tonë, t’i lexojnë vetë aktakuzat, dhe do të shohin se askush, në këtë rast as Prokurori i Specializuar dhe as Gjykatësi i Procedurës Paraprake që bën konfirmimin, nuk akuzojnë ndonjë organizatë, bashkësi etnike, grup, apo subjekt tjetër, por vetëm individë.

Kështu që tani na takon ne, gjykatësve, që pasi të kemi marrë çështjet e Prokurorit të Specializuar, t’i shqyrtojmë ato çështje një nga një, dhe duke u bazuar në vlerësimin e provave të marrim vendim nëse akuzat e paraqitura nga Prokurori janë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm. Dhe sigurisht, një vendim i tillë do të merret gjatë proceseve. Pas fazës paraprake, pastaj asaj të gjykimit, dhe nëse aktgjykimi i trupit gjykues apelohet, në Dhomën e Apelit, por gjithsesi gjatë proceseve të drejta, të pavarura dhe të paanshme, të kryera në një mjedis shumë të sigurt.

BALLKAN: Mandati i Dhomave të Specializuara është të hetojë dhe ndjekë penalisht krimet e kryera në Kosovë nga qytetarët e Kosovës dhe ish RFJ-së. A do të thotë kjo se ju do të ndiqni penalisht, sipas mandatit tuaj, krime të kryera në territorin e Kosovës nga njësitë ushtarake, para-ushtarake ose policore serbe?

TRËNDAFILOVA: Unë nuk kam qëllimin të përsëris, dhe nuk do të doja të përsëris të njëjtat gjëra, por duhet edhe një herë të theksoj sqarimin që dhashë në fillim, se është kompetencë dhe përgjegjësie ekskluzivisht e Prokurorit të Specializuar për të marrë vendim se si do të hetojë, kë do të hetojë dhe çfarë akuzash do të ngrejë.

Ne, gjykatësit e Dhomave të Specializuara, si të gjithë gjykatësit e tjerë në cilindo sistem ligjor demokratik, nuk vendosim dhe nuk duhet të vendosim se kundër kujt duhet të ngrihen akuza. Sepse askush atëherë nuk do të na besonte se do të marrim vendimin përfundimtar në mënyrë të paanshme, mbi bazën e themelësisë së çështjes.

Mandati i gjykatësve, sikurse theksova, është të marrin vendim vetëm mbi bazën e asaj çfarë u është paraqitur.

Dhe njerëzit do të shohin drejtësi të realizuar nga Dhomat e Specializuara për ata që janë nxjerrë para drejtësisë dhe për viktimat e krimeve që pretendohet të jenë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë.

BALLKAN: Dëshmitarët janë kaq të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të pretenduara, të kryera dekada më parë. Si keni arritur të vendosni një program të tërë për mbrojtjen e dëshmitarëve?

TRËNDAFILOVA: Edhe pse dëshmitarët nuk janë i vetmi burim i provave ku bazohen vendimet e gjykatësve, dëshmitë e tyre janë ende prova shumë të rëndësishme, pavarësisht prej kohës që ka kaluar nga kryerja e krimeve.

Për sa i përket mbrojtjes së viktimave dhe më gjerësisht, të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar me ne, dua të theksoj se siguria e tyre është e prioritetit më të lartë për Dhomat e Specializuara.

As vendimi më i mirë gjyqësor nuk mund të merret në dëm të jetës dhe të mirëqenies së njerëzve. Këto janë vlera thelbësore, absolute, të cilat nuk mund të sakrifikohen. Dhe mbi këtë bindje të fortë të Dhomave të Specializuara të Kosovës mbështetet edhe praktika jonë e mirë zhvilluar për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Në lidhje me këtë, ne kemi një njësi të specializuar në kuadër të Zyrës Administrative që merret me mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre para, gjatë dhe pas gjykimit.

Gjykatësit gjithashtu mund të urdhërojnë masa mbrojtëse për dëshmitarët, siç janë dhënia e dëshmisë së dëshmitarëve të caktuar në seanca të mbyllura, caktimi i pseudonimeve dhe deformimi i zërit ose pamjes së fytyrës. Dëshmitarët gjithashtu mund të dëshmojnë nëpërmjet video lidhjes.

Më duhet të kujtoj gjithashtu se shkeljet dhe thyerjet e masave mbrojtëse të urdhëruara nga gjykata janë vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe ndëshkohen ashpërsisht në bazë të Kodit Penal të Kosovës, i zbatueshëm para Dhomave të Specializuara, kur Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u referohet konkretisht këtyre dispozitave të Kodit Penal të Kosovës .

BALLKAN: Është e qartë që ju keni qenë duke bashkëpunuar me autoritetet serbe për të mbledhur prova dhe për të pyetur dëshmitarë. Sa të besueshme do të ishin provat që vijnë nga Serbia?

TRËNDAFILOVA: Në lidhje me këtë pyetje, sigurisht që përgjigjja gjendet në dallimin kryesor midis Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Si Kryetare e Dhomave të Specializuara, unë nuk jam në pozitë të di se si Prokurori i Specializuar i ka kryer hetimet e veta, se cilat kanë qenë burimet e provave të tij, nëse ai ka hyrë në marrëveshje dhe me kë, se çfarëka qenë përmbajtja e atyre marrëveshjeve, sepse thjesht këto janë kompetenca vetëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe kjo është politika dhe qasja e tij e pavarur se si të hetojë më së miri rastet.

Sikurse thashë dhe do ta përsëris edhe një herë: nuk më takon mua dhe nuk u takon gjykatësve që të kenë – ne nuk duhet të kemi njohuri të tilla, e aq më pak të jemi të përfshirë.

Në këtë kontekst megjithatë dua të informoj audiencën tuaj se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar na e mundëson të hyjmë në marrëveshje për qëllimin e përmbushjes së mandatit tonë.

Kur gjykatësit marrin provat dhe çështjet e prokurorisë që mbështeten nga ato prova, ne atëherë fillojmë të merremi me çështjet, veçanërisht me punën shumë, shumë të ndërlikuar, shumë të sofistikuar të shqyrtimit të provave.

Pastaj ne vlerësojmë pranueshmërinë e provave, për të përcaktuar gjithashtu edhe peshën që do t’i jepet secilës provë.

Rregullorja jonë e Procedurës dhe e Provave – ky është ligj procedural i njëjtë me kodin e procedurës penale në çdo sistem vendor – përcakton me hollësi praktikat më të mira gjyqësore në lidhje me mënyrën më të mirë të trajtimit të provave. Dhe unë jam e sigurt se gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kryejnë vlerësimin më të përpiktë dhe më profesional të çdo prove, përfshirë të atyre nga Serbia, nëse do të ketë të tilla që do të paraqesë Prokurori. Por ky është vendim i pavarur, ekskluziv, dhe vetëm i tij.

BALLKAN: Çfarë lloj bashkëpunimi keni pasur, dhe / ose keni me Shqipërinë dhe autoritetet shqiptare? A keni juridiksion për të hetuar në Shqipëri? A keni marrë në pyetje shtetas shqiptarë në lidhje me krimet e pretenduara? A keni autoritet të arrestoni shtetas shqiptarë?

TRËNDAFILOVA: Pra, përsëri, përgjigjja ime në pyetjen tuaj do të fillojë me:nuk kam njohuri për asnjë marrëveshje që Prokurori i Specializuar mund të ketë nënshkruar me shtete, organizata, apo subjekte të tjera.

Por në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme të kujtojmë se neni 4 dhe neni 55 i Ligjit mbi bazën e të cilit ne funksionojmë, autorizon Dhomat e Specializuara, Administratoren dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të hyjnë në marrëveshje, si dhe të kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim nga shtete, organizata dhe subjekte të tjera, që janë të domosdoshme për përmbushje ne mandatit tonë, që janë të domosdoshme për hetimin, ndjekjen penale të personave të akuzuar për kryerje krimesh brenda juridiksionit tonë.

Dhe këto dispozita shumë të rëndësishme që i përmenda janë zhvilluar më tej në Rregulloren tonë të Procedurës dhe të Provave, por mbi bazën e Ligjit i cili ua mundëson këtë gjë Dhomave të Specializuara, Zyrës Administrative dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar .

BALLKAN: Çfarë lloj bashkëpunimi keni pasur me Maqedoninë e Veriut? A keni në listat tuaja qytetarë të Maqedonisë së Veriut?

TRËNDAFILOVA: Unë ndoshta po bie në përsëritje edhe në lidhje me këtë pyetje, por do t’i referohem përgjigjes që dhashë në lidhje me pyetjen tuaj të mëparshme. Tani, pyetja juaj lidhet me marrëveshje bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut. Unë me të vërtetë nuk jam në pozitë të spekuloj nëse Prokurori ka hyrë në marrëveshje bashkëpunimi, nëse ai ka bërë kërkesa të tilla. Këto me të vërtetë janë marrëveshje që duhet të bëhen nga Zyra e Prokurorit për qëllimet e hetimeve dhe ndjekjeve penale që ajo kryen. Kur është fjala për disa nevoja që lidhen me përmbushjen e duhur të mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, atëherë gjithsesi do të shohim se çfarë do të ndërmarrim, natyrisht në përputhje me Ligjin i cili na mundëson të bëjmë marrëveshje, të kërkojmë ndihmë, të kërkojmë bashkëpunim, të hyjmë në marrëveshje të tilla. Por, nuk ka ardhur koha për një gjë të tillë sa u përket Dhomave.

BALLKAN: A do të shohim më shumë arrestime në javët e ardhshme? Kur planifikoni të përmbledhni serinë e arrestimeve dhe të shkoni në gjykime më në fund?

TRËNDAFILOVA: Përgjigjja ime në pyetjen tuaj do të jetë si vijon: se a do të ketë arrestime të tjera, do të varet përsëri nga forca shtytëse e këtyre procedurave, pra Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe natyrisht nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i cili, nëse merr nga prokurori kërkesë për lëshimin e një fletarrestimi, duhet të marrë një vendim.

Pra, do të varet nga këta të dy se si do të zhvillohen procedurat.

Në lidhje me pjesën e dytë të pyetjes suaj, se kur do të fillojnë gjykimet. Përsëri, Ligji dikton që ky do të jetë një vendim i Gjykatësit të Procedurës Paraprake, dhe Gjykatësi i Procedurës Paraprake duhet të përfshihet në përgatitjen e gjykimit. Dhe i takon Gjykatësit të Procedurës Paraprake që të vendosë në një moment se kur çështja gjyqësore është e gatshme për gjykim, dhe të nisë vetë gjykimin i cili kryhet nga trupi gjykues.

Deri më tani, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka njoftuar në çështjen e z. Mustafa se sipas vlerësimit të tij, pas zgjidhjes së disa aspekteve ende të pazgjidhura, kalimi i dosjes së çështjes trupit gjykues pritet të kryhet më 7 maj 2021, ose rreth kësaj date.

Në të ashtuquajturën çështje të “shpërfilljes”, në çështjen e Prokurorit kundër z. Gucati dhe z. Haradinaj, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka caktuar paraprakisht datën30 qershor të këtij viti si datë kur do të më njoftojë mua si Kryetare e Dhomave të Specializuara se synon ta kalojë çështjen për gjykim. Dhe vetëm atëherë unë do të marr një vendim në lidhje me përbërjen e trupit gjykues.

Në lidhje me çështjen e Prokurorit kundër z. Thaçi dhe të bashkakuzuarve të tjerë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ende nuk ka marrë një vendim, kështu që duhet të presim që ai të vendosë se kur çështja do të përgatitet nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake dhe ekipi i tij dhe të dërgohet e gatshme për fillimin e gjykimit.

BALLKAN: Në fund të ditës, Dhomat e Specializuara janë themeluar në emër të drejtësisë. A do të sjellin drejtësi për të gjithë?

TRËNDAFILOVA: Më duhet të them znj. Karadaku, se jam me të vërtetë shumë e kënaqur me këtë pyetje. Në të vërtetë, Dhomat e Specializuara janë themeluar në emër të drejtësisë.

Duhet të flas për veten time se, nëse pas leximit të dokumenteve normative përkatëse nuk do të isha bindur vetë në qëllimin themelor dhe të mirëfilltë të realizimit të drejtësisë, të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të themeluesve të këtij institucioni, unë personalisht nuk do t’u isha bashkuar Dhomave të Specializuara.

Ne, gjykatësit e Dhomave të Specializuara – dhe flas në emër të të gjithë kolegëve – jemi profesionistë seriozë që nuk do të komprometojmë emrin që kemi krijuar gjatë gjithë karrierës sonë profesionale, duke u bërë pjesë e një sistemi që nuk do të ishte institucion gjyqësor legjitim.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është udhëzues në këtë aspekt: se ky institucion do të sjellë drejtësi për të gjithë. Mandati i përcaktuar në Ligjin tonë është të garantojë procese penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase.

Dhe secili prej këtyre elementeve procedurale para Dhomave të Specializuara është përpunuar më tej në dokumente të tjera normative të institucionit tonë, përkatësisht në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave si dhe në Kodin e Etikës Gjyqësore për gjykatësit.

Dhe do të doja të përmendja shkurtimisht të gjitha këto elemente.

Së pari, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet t’u garantojnë të gjithëve standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së jetës dhe mirëqenies së tyre. Kjo është siguria e proceseve tona.

Pastaj, Dhomat e Specializuara nuk duhet të ndikohen – dhe unë jam e sigurt që nuk do të ndikohemi – nga asnjë ndërhyrje, qoftë politike, nga shtete, organizata apo individë.

Pastaj, trajtimi i barabartë i të dyja palëve, si dhe paanësia e gjykatësve që trajtojnë çështjet e të dyja palëve, janë me shumë rëndësi.

Dhe gjithashtu është jetike të theksohet se të akuzuarve u garantohet gjykim i drejtë, ku të drejtat e tyre do të mbështeten dhe mbrohen. Këto janë të drejta themelore që përmenden në nenin 21 të Ligjit dhe ato pasqyrojnë gjithashtu edhe konventat për të drejtat e njeriut të cilave Dhomat e Specializuara të Kosovës u përmbahen në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Për realizimin e drejtësisë, është gjithashtu me rëndësi që viktimat të mos harrohen. Ajo që është shumë e veçantë për kornizën ligjore brenda së cilës ne veprojmë është se viktimat të cilat personalisht kanë pësuar dëmtim si rrjedhojë e krimeve të kryera dhe të përfshira në një aktakuzë të konfirmuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake, kanë të drejtën të paraqesin kërkesë dhe të marrin pjesë në proceset gjyqësore si viktima, natyrisht përmes Mbrojtësit të Viktimave.

E gjithë kjo më jep besimin që si Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të them se Dhomat e Specializuara do të sjellin drejtësi për të gjithë, duke siguruar që vendimet tona të jenë pasqyrë e proceseve gjyqësore plotësisht të pavarura, krejtësisht të paanshme, të drejta dhe të shpejta.

Dhe shpresoj që në takimin tonë të ardhshëm, të dyja do të pajtohemi se ajo që unë pohoj dhe pas së cilës qëndroj fuqimisht, do të pranohet si një fakt i qartë nga të gjithë ata që janë të interesuar në punën dhe veprimtarinë tonë.

Të ngjashme