Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPO) ka thënë se deri në prillin e vitit 2025 pret që të përmbyllë marrjen në pyetje të dëshmitarëve në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Nuk e di [nëse do të lirohen nga paraburgimi]. U takon gjykatësve të vendosin. E dini që gjykatësit lëshojnë vendime [për masën e paraburgimit] çdo dy muaj. Nuk e di se çfarë vendimi do të merret”, tha Trendafilova gjatë një konference online për media.
Ajo shtoi se për lirim nga paraburgimi ka kritere të qarta, në mënyrë që të liruarit të mos kryejnë vepra të tjera penale apo të pengojnë procedurat e mëtejme gjyqësore.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.
Në prill, pasi ZPO-ja të ketë përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.
Duke folur për përmbylljen e këtij rasti, Trendafilova tha se gjykatësit duan që ai “të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, pa kompromentuar drejtësinë”.
Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.
Trendafilova tha se përmbyllja e rastit, që e quajti voluminoz, varet pikërisht nga mbrojtja, pasi Prokuroria të përfundojë rastin.
“E dimë që deri së largu në prill prokuroria do të përmbyllë rastin. Më pas kemi katër ekipe të mbrojtjes. Po hamendësoj, ndoshta mbrojtja nuk do të ketë shumë…. Kjo është pyetja e njëjtë që është ngritur dy vjet më parë nga disa nga hisedarët. U kam thënë se ndoshta dëshironi të dëgjoni një përgjigje definitive, më vjen keq që do t’iu zhgënjej, unë do t’iu ofroja afate të rreme sepse njëherë është rasti i Prokurorisë, e më pas i mbrojtjes. E dimë që prilli është muaji kur përfundon Prokuroria. Kush e di, mund të jetë shumë shpejt”, tha kryetarja e Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Ajo po ashtu tha se Prokuroria ka përshpejtuar këtë rast me largimin e 14 dëshmitarëve, ndërkaq edhe 43 të tjerë do të dëshmojnë deri më 8 prill.
Numri i përgjithshëm i dëshmitarëve të ftuar nga Prokuroria, qoftë për t’u paraqitur para gjykatës apo për të dhënë dëshminë e tyre me shkrim, është 152. Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte thënë se numri i dëshmitarëve do të mund të arrijë deri në 350.
Trendafilova, e cila më herët kishte thënë se frikësimi i dëshmitarëve paraqiste sfidën më të madhe për Gjykatën Speciale, tha se kur nisi puna në Hagë, nuk e kishte pritur që do të kishte “kaq shumë raste” të frikësimit të dëshmitarëve.
Ndonëse ajo tha se është informacion i klasifikuar sesa dëshmitarë janë frikësuar gjatë rasteve që po zhvillohen në Hagë, ajo tha se në Speciale janë tri raste që kanë të bëjnë me pengim të drejtësi.
“Deri më tani dëshmitarët nuk kanë marrë vendim që të tërhiqen. Ata vijnë dhe paraqiten para nesh”, tha ajo, duke shtuar se gjykata ka njësi të posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ajo po ashtu arsyetoi redaktimet e shumta që bëhen në dëshmitë e dëshmitarëve, duke thënë se kjo bëhet për të mbrojtur identitetin e tyre dhe për të mos rrezikuar sigurinë e tyre.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë./REL