Menjëherë pas Kim West u emërua prokurore e specializuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ka reaguar e kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, duke i shprehur urimet për emërimin e saj si Prokurore e Specializuar.
“Duke iu referuar përvojës së gjerë të Prokurores së Specializuar në të drejtën penale si në nivel shtetëror ashtu edhe atë ndërkombëtar, kryetare Trendafilova theksoi se Uest “padyshim që do t’i shërbejë më së miri Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të kontribuojë qenësishëm për përmbushjen efikase të mandatit të kësaj zyre”.
Kryetare Trendafilova deklaroi se ajo “pret me kënaqësi të krijojë një marrëdhënie pune produktive me znj. Uest në nivel institucional dhe i uroi çdo të mirë prokurores West me fillimin e detyrës si prokurore e tretë e Specializuar e institucionit.
Sipas një njoftimi për media lëshuar nga Dhomat e Specializuara, Trendafilova gjithashtu vlerësoi volumin e punës së ndërmarrë nga paraardhësi, Xhek Smith, gjatë mandatit të tij si Prokuror i Specializuar, si edhe të Aleks Uajting, ushtrues i detyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mundësoi vijimësinë e punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) pas largimit të Smith.
Sipas Trendafilovës, me emërimin e West, DHSK-ja dhe ZPS-ja aktualisht kanë tri drejtuese femra, që tregon, siç ka thënë ajo, përparimin që po bëhet në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare.
West bëhet Prokurorja e specializuar e tretë, pas Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Prokuror Special në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka qenë më parë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.