Trendet e “paqarta” të partive politike në Kosovë

| 10 Kor 2022 | 14:08 | Nga

Këto ditë në Klan Kosova u prezantua një hulumtim mbi preferencat e qytetarëve për partitë politike. Sipas këtyre matjeve të opinionit publik vërehen qartë disa zhvendosje elektorale që kanë ndodhur në shoqërinë kosovare, që nga zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ashtu siç është e zakonshme prezantime të tilla nuk priten mirë nga partitë politike. Sepse zakonisht shpresat e tyre janë të ndryshme nga realiteti.

Personalisht, rezervohem të them me siguri të plotë, se sa e pasqyron disponimin e elektoratit kosovar ky anketim, sepse nuk i di në detaje procedurat se si është zhvilluar ky proces, logjikën e brendshme të tij, si dhe përgatitjen profesionale sociologjike të atyre që e kanë realizuar këtë hulumtim. Megjithatë, duke marrë parasysh disa nga trendet e përgjithshme politike në vend, duket që shumë nga konstatimet e tij të jenë të qëndrueshme.

Nuk do mend se disponimi gati absolut që ishte për pushtetin është zbehur. Dhe ky i fundit s’e gëzon më atë shkallë të besueshmërisë që e kishte dikur. Qytetarët votuan për ndryshim pro atyre që janë në pushtet. Mirëpo, kjo qeveri nuk po arrin t’u përgjigjet këtyre shpresave. Kriza vetëm sa është thelluar.

Propaganda statistikore e zyrtareve të saj nuk reflekton gjendjen konkrete të njerëzve. Prandaj, është normale që në këto rrethana vendin e shpresës ta zë zhgënjimi. S’ka më entuziazëm. Vetëm sa është thelluar dëshpërimi.

Kuptohet, partia në pushtet ende e ruan një përparësi relative në raport me oponentët e saj opozitarë. Sepse në politikë asgjë nuk zhbëhet brenda natës. Dhe as nuk ndërtohet po ashtu aq shpejt. Mirëpo, ajo nuk e ka më atë përkrahje që e ëndërrojnë zyrtarët e saj. Por, e ka më të madhe se sa shpresojnë kundërshtarët e saj.

Po ashtu si alternativë më e besueshme për dështimet e kësaj qeverie ka gjasa që mund të jetë LDK-ja. Sepse, kjo parti për shkak të ndryshimeve të brendshme që ka promovuar, duket të jetë më afër pritjeve të qytetarëve në rrethanat aktuale. Në këtë kontekst, ajo ka mundësi të përfitojë më shumë se çdo parti tjetër nga dështimet e qeverisë. Ndonëse personalisht konsideroj se, afirmimi politik i drejtuesit të kësaj partie është produkt i të njëjtave forcave dhe i të njëjtit diskurs politik që e ka karakterizuar ngritjen elektorale të pushtetit aktual. Kuptohet me disa ndryshime minore. Portretizimi i ish-drejtueseve politikë që kanë dalë nga UCK-ja, si fajtorë kujdestarë për çdo dështim në Kosovë e ka veçuar retorikën e tyre. Ndërkohë, këta te fundit me disa gabime qeverisëse duke afirmuar njerëz pa krediblitet politik e kanë ushqyer këtë frustrim.

Mirëpo, praktika sikur se në rastin e kësaj qeverie, ka dëshmuar se mllefi ndaj së kaluarës nuk mjafton për ta ndërtuar të ardhmen. Prandaj, ky qëndrim nesër mund t’i rikthehet në bumerang edhe drejtuesit aktual të LDK-së. Sepse në shumëçka deri më tani ai nuk ka përfaqësuar asgjë më shumë, se sa një kopje të zbehtë Vjosa Osmanit, si personalitet politik.

Ndërkohë sfidë tjetër mund të jetë edhe konsolidimi i brendshëm i partisë. Strukturat e vjetra të këtij entiteti politik, e që janë të interesuara për dështimin e tij, për shkak të frustrimit të tyre me margjinalizimin që e kanë përjetuar, mund të mobilizohen për ta sabotuar nga brenda, dhe kështu ta dobësojnë forcën elektorale të vet subjektit, e që të përdoret nesër si argument për dështimet politike të lidershipit të partisë.

Simpotmatikisht nuk ka si shpjegohet ndryshe, ngarendja e disa figurave kryesore tradicionale të kësaj partie për të marrë pjesë në promovimin e një libri gjeopolitik, pa ndonjë vlerë lerë akademike, pos si revoltë simbolike e tyre ndaj udhëheqjes aktuale të partisë.

Në këtë kontekst, aftësia e liderit të LDK-së, për t’i adresuar si duhet këto dy sfida, pra për ta ndërtuar një narracion autentik që do ta dallonte atë nga ata që aktualisht janë në pushtet, si dhe për t’i relativizuar përçarjet e brendshme do të tregojnë se sa do të jetë ai në gjendje ta kapitalizojë zhgënjimin e qytetarëve në raport me punën e qeverisë aktuale dhe të shfaqet si alternativa e vetme për ndryshim.

Kjo nevojë është vendimtare për zhvillimet e ardhshme politike, sidomos kur marrim parasysh faktin se partia tjetër opozitare, PDK është përcaktuar vetëm për improvizime politike dhe vazhdim të asaj fryme dhe mentaliteti drejtues që është përgjegjës për dështimin e saj. Prandaj, nuk ka demonstruar vullnet për ndryshime të brendshëm, por vetëm riaranzhim të pozitave për të njëjtit njerëz që tashmë janë identifikuar me qeverisjet e kaluara. Madje për shkak të jetëgjatësisë së tyre politike kjo strukture duket sikur qëllim primar e ka mbrojtjen e vetvetes dhe jo aktivitetin opozitar. Edhe ashtu tradicionalisht shumë prej tyre nuk janë dalluar për ndonjë aktivitet politik. Deri më tani ata kanë dëshmuar një shkathtësi, se si fitoret politike të tjerëve t’i shfrytëzojnë për përfitime personale ekonomike. Dhe si duket ky me mentalitet po e kushtëzon edhe tani sjelljen e tyre.

Duke e kontrolluar partinë dhe duke e mbajtur atë në një gjendje pezull shpresojnë t’i ruajnë privilegjet e fituara në të kaluarën. Vetëm se tani jo më nën pushtetin e Hashim Thaçit, por duke e braktisur misionin e opozitarizmit në raport me Albin Kurtin. Ky i fundit në sytë e tyre e ka rolin identik me të parin. Është “Tjetri” i madh që i hesht përfitimet që ata i arritën në “regjimin e vjetër”. Ndërsa kushti është që tani në “regjimin e ri” ata duhet të kënaqen vetëm me jetën e tyre “borgjeze” ekonomike, dhe se duhet vetëm ta improvizojnë opozitën, duke pritur ndonjë rrethanë fatlume dhe shpëtimtar historik. Kështu nëse dikur e përdorën partinë për t’u bërë këta që janë, tash po e përdorin atë vetëm si ta gëzojnë kapitalin, vilat dhe jetën lukzose që e kanë. Po ashtu nuk është e rastësishme që fryma familjarizimit dhe tribadizmit është zhvendosur brenda strukturave të saj. Sepse partia e ka marrë e kuptimin e pronës. Kjo e fundit mund të mbrohet më mirë vetëm brenda familjes. Prandaj, ndalohet hyrja e atyre që nuk kanë lidhje gjaku me drejtuesit e saj.

Është ky hendikep që tregon se vështirë që kjo parti brenda këtyre konditave mund të jetë alternativë e besueshme shoqërore dhe politike kurdo që mbahen zgjedhjet nacionale. Rrjedhimisht, rangimi i saj si parti e tretë sa i përket disponinimit të publikut duket real.

Sa i përket Aleancës edhe kjo parti, siç po shihet, do të vazhdojë të jetë e pozicionuar në kështjellën e saj elektorale, pa shpresa se mund të shndërrohet në një subjekt që merr shtrirje përafërsisht simetrike nacionale.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se hapësira për ta “pushtuar” opinionin publik mbetet ende e hapur. A do ta rikthej ekzekutivi në favor të tij këtë situatë , apo njëra nga partitë opozitare do ta “rrëmbejë” përfundimisht pjesën më të madhe të vullnetit qytetarëve të Kosovës, mbetet të shihet…

Të ngjashme