Një këmbësore ka marrë lëndime trupore, pasi është goditur nga treni, sot pasdite, në Prishtinë.
Aksidenti ka ndodhur, rreth orës 16:30, në afërsi të shkollës “Xhevdet Doda” dhe Varrezave Ortodokse, raporton Ekonomia Online.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Policia, e cila po heton rrethanat e aksidentit. Ndërsa, një auto-ambulancë e ka transportuar të lënduarën në QKUK.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka njoftuar se këmbësorja është dërguar për tretman mjekësor.
“Rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën për një aksident në lagjen Lakrishtë. Aksidenti ka ndodhur në hekurudhë ku kanë qenë të përfshirë një tren dhe një këmbësore. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësorja e cila është dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret Njësiti i Trafikut”, deklaroi Ahmeti.