Një person ka mbetur i vdekur kur vetura e tij është goditur nga treni në afërsi të Fushë-Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16, në afërsi të fshatit Miradi të Fushë-Kosovës. Sipas një fotografie të siguruar nga Kallxo.com, shihet se vetura e aksidentuar është e tipit “Toyota”.
Sipas burimeve policore, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura, duke kaluar binarët e hekurudhës në një rrugë pa mbrojtëse, është goditur nga treni.
“Rreth orës 16, në Miradi të Fushë-Kosovës ka ndodhur një aksident mes treni dhe një veture të markës ‘Toyota’. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë ngasësi i makinës”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Mësohet se viktima është punëtor i hekurudhës.
Treni e ka bartur veturën rreth 100 metra përpara nëpër hekurudhë, kanë thënë dëshmitarët.