Të paktën dy persona kanë vdekur të mërkurën pasi një tren goditi një ambulancë në një kalim hekurudhor në qytetin polak Puszczykowo, pranë Poznanit.
Burimet e policisë të cituara nga agjencia shtetërore e lajmeve polake, PAP, kanë thënë se të vdekurit janë një mjek dhe një ndihmës që ishin në ambulancë.
Shoferi i mjetit është pranuar në spital në gjendje të rëndë. Pamjet janë marrë nga kamerat e sigurisë, ku duket ambulanca e cila ngeli ne mes të shinave.
Ambulanca, e cila po shkonte në një spital për të marrë një pacient, është zënë në mes të pengesave për arsye të panjohura dhe është goditur nga treni.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka shprehur ngushëllime për familjet e të vdekurve nëpërmjet një mesazhi në llogarinë e tij të Twitter dhe ka theksuar se “është jashtëzakonisht e trishtueshme që njerëzit që i shpëtojnë jetët nuk kthehen më te të dashurit e tyre pas shërbim”.