Trepça ’89 ka bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Drita pësoi humbje nga Flamurtari 1-2, ndërsa ankesë ka bërë Trepça ’89 që sipas tyre Drita e ka inkuadruar në lojë një futbollist që nuk ishte i licencuar.
E për këtë klubi mitrovicas ka bërë ankesë në FFK ku kërkon dënimin e Dritës me minus nëntë pikë.
“Është në rregullore e shkruar qartë se nëse një klub bënë një gabim të qëllimshëm atëherë dënohet me minus nëntë pikë. Nëse Federata do të punojë sipas rregullores që e ka shkruar vetë, atëherë Drita duhet të dënohet minus nëntë pikë”.
“Drita ka pas drejt që t’i licencojë 35 futbollistë, por që i ka licencuar vetëm 24 dhe ai futbollist i lindur në vitin 2001 nuk ka qenë i licencuar”, u shpreh Zeka për Telegrafin.
“Ne kemi bërë ankesë dhe Drita duhet të dënohet me minus nëntë pikë, tani jemi duke pritur vendimin”, u shpreh numri një i Trepçës ’89.
Ai thotë se ka pasur mundësi të bëjë manipulime edhe vet, por nuk ka qenë i interesuar të futet në këto punë.
“Kam pasur mundësi që ndeshjen me Ferizajn të luajmë baras që na kishte konvenuar dy skuadrave, por që nuk kam dashur t’i bëjë këto marrëzi, kam dashur të luajmë korrekt dhe na ka mundur Ferizaji me plot meritë ku i kam uruar dhe i uroj suksese vitin tjetër në Superligë”.
Sipas kryetarit të Trepçës ’89 ndeshjet po përcillen edhe nga UEFA dhe mund t’i humbasim edhe këto dy vende.
“Jemi gjithmonë në përcjellje, kemi biseduar edhe me kryetarin Agim Ademi para disa kohëve dhe jemi dakorduar që së bashku ta ngritim nivelin dhe të bëhet edhe Kosova me katër skuadra pjesëmarrëse në garat evropiane, por duke bërë kësi lojëra të pista atëherë rrezikojmë t’i humbasim edhe këto dy pozita”, u shpreh Zeka.
Në ndeshjen e fundit Trepça ’89 luan përballë KEK-ut. /Telegrafi/