“E kemi studiuar Trepçën dhe e kemi ditur se do të jetë kundërshtar cilësor, ndonëse njerëzit nuk e njohin shumë mirë”. Kështu ka deklaruar Frantishek Rylich, basketbollist i kampionit të Çekisë, Nymburkut.
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka luajtur dy ndeshje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Në çerekfinale të turneut kualifikues fitoi ndaj kampionit të Qipros, Keravnosit, të mërkurën. Të premten në Antalya të Turqisë humbi nga Nymburku çek me gjashtë pikë dallim. Por “xehetarët” ishin në lojë deri në aksionet e fundit, ndonëse skuadra çeke ishte vazhdimisht para.
Të dy paraqitjet në Champions ndikojnë që imazhi i Trepçës dhe basketbollit kosovar në përgjithësi të përmirësohet. Dhe tani më shumë njerëz në basketbollin evropian e njohin skuadrën mitrovicase. Kjo vlerësohet “fitorja” e madhe e ekipit mitrovicas në këtë kampanjë.
“Kundërshtari ka ekip të mirë, lojtarë të talentuar. Ishim të përgatitur për ndeshje të vështirë dhe gjëja më e rëndësishme është se kemi fituar”, ka thënë trajneri i Nymburkut, italiani Francesco Tabellini.
Kjo skuadër ka 20 tituj të Çekisë nga viti 2004 e tutje. Ka dështuar vetëm një herë. Ka edhe 15 kupa të Çekisë. Në fazën grupore të Championsit është paraqitur në shtatë prej tetë edicioneve, ndërsa ka arritur dy herë në çerekfinale. Pra Nymburku është ekip serioz sa i takon Ligës së Kampionëve. Dhe ndaj tij Trepça u mbajt deri në fund. Pra dëshmoi që ka nivel të përafërt.
Për herë të parë kampioni kosovar ka kaluar kundërshtar në kualifikimet e Championsit. Sigal Prishtina në tri raste dhe Golden Eagle Ylli e Peja në nga një rast kishin dështuar ta bëjnë këtë. Në fakt Prishtina kishte fitore, por faza kualifikuese ishte në dy ndeshje dhe kundërshtari nuk ishte kaluar.
Më përvojën e vlefshme në Champions, Trepça tani vazhdon garimin në FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët i garave evropiane për klube të basketbollit.
Është në Grupin H së bashku me ekipin gjerman MHP Riesen dhe atë nga Skocia, Caledonia Gladiators. Ekipi i katërt në grup nuk është caktuar ende.
Trepça për herë të tretë paraqitet në FIBA Europe Cup. Vjet arriti përmes kualifikimeve në stinorin e rregullt dhe kishte edhe fitore.
Në FIBA Europe Cup paraqitet edhe Peja. Por skuadra pejane starton nga faza kualifikuese. Javën e ardhshme i ka dy ndeshje me skuadrën greke Maroussi. Ndeshjet luhen në Greqi më 24 e 26 shtator.
Gjasat që Peja të kualifikohet në stinorin e rregullt nuk vlerësohen shumë të mëdha. Basketbolli në Greqi është shumë i zhvilluar e fakti që dy ndeshjet janë në këtë vend nuk shkon në favor të skuadrës kosovare.
Për shkak të angazhimeve evropiane të Trepçës dhe Pejës, në fundjavë zhvillohen vetëm dy ndeshje në Superligë.
Në program është java e dytë. Të shtunën prej orës 17:15 është përballja prishtinase mes Sigal Prishtinës e Borës. Të dielën nga ora 19:00 takohen Bashkimi e Vëllaznimi. Ndeshja Peja – Proton Cable Prizreni është shtyrë, kurse Trepça e Golden Eagle Ylli takohen të mërkurën nga ora 19:00.