“Trepça” kërkon kthimin e pronave nga ata që i shfrytëzojnë

Prishtinë | 11 Qer 2024 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja “Trepça” ka kërkuar nga të gjitha subjektet që janë duke i shfrytëzuar pronat e saj që ta kontaktojnë për t’ia kthyer ato.

“Kërkojmë nga të gjitha subjektet juridike dhe fizike, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha subjektet tjera që me apo pa dijeni janë duke i shfrytëzuar pronat e paluajtshme të “Trepça Sh.A.”, që në afatin 30 ditor (deri më 10.07.2024) të na kontaktojnë në zyrat tona në objektin e menaxhmentit (Parku industrial në Mitrovicë)”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja “Trepça” ka paralajmëruar se do të ndjekë procedura gjyqësore në rast se ata që janë duke i shfrytëzuar pronat e ndërmarrje nuk lajmërohen brenda këtij afati 30 ditor.
“Bashkëpunimi i juaj do të na kursejë kohën dhe shkurtojë procedurat gjyqësore deri në realizimin e të drejtës sonë”, thuhet në njoftim.

“Së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e ‘shoqërisë’. Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja”, vijon njoftimi.
Po ashtu bëhet e ditur se menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin maksimal në ringritjen e “Trepçës” drejt një gjiganti ekonomik.

Të ngjashme