Tri dekada në pushtet, presidenti i Çadit vdes gjatë përleshjes me rebelët

Prishtinë | 20 Pri 2021 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Çadit, Idriss Deby, ka vdekur papritmas gjatë përleshjeve me rebelët në pjesën veriore të vendit në fundjavën që shkoi, njoftoi ushtria e këtij vendi në televizionin shtetëror.

Të hënën, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 prillit lanë të kuptohej se ai do ta fitonte edhe mandatin e gjashtë, pas numërimit të 80 për qind të votave, shkruan BBC.

Qeveria dhe kuvendi i shtetit të madh afrikan janë shpërndarë, ndërsa në pushtet për 18 muajt e ardhshëm do të jetë një këshill ushtarak.

Deby ishte një ndër udhëheqësit afrikanë me kohën më të gjatë të qëndrimit në pushtet. Ai për herë të parë kishte ardhur në pushtet në vitin 1990 përmes një kryengritjeje të armatosur.

Ai gjatë fundjavës shkoi në vijën e frontit për t’i vizituar ushtarët që po përballeshin me rebelët që bazën e kanë matanë kufirit me Libinë.

Përleshja e armatosur mes forcave qeveritare dhe rebelëve filloi të shtunën. Një gjeneral ushtrie i tha agjencisë Reuters se 300 militantë janë vrarë dhe 150 të tjerë janë kapur.

Deby ishte aleat i vjetër i Francës dhe i fuqive tjera perëndimore. Sidoqoftë, kohëve të fundit në Çad pati shtim të pakënaqësisë rreth menaxhimit të burimeve të naftës nga qeveria.

Të ngjashme