Tri gjykatëset që e çuan në shtëpi Enver Sekiraqen

Prishtinë | 20 Tet 2017 | 15:48 | Nga

Dy gjykatëset e Gjykatës së Apelit nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Mema, kanë votuar që Enver Sekiraqës, i dënuar me 37 vjet burgim, për pjesëmarrje në vrasjen e policit Triumf Riza, t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Edhe një ditë pas, gjykata e shkallës së dytë, nuk e ka dhënë asnjë sqarim në lidhje me arsyetimin e këtij aktvendimi si dhe nuk ka saktësuar nëse ndryshimi i masës së sigurisë, nënkupton kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se arsyetimi i vendimit për të ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin nga masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak do të përfshihet në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate.

“Betimi për Drejtësi”, ka provuar të kontaktojë me gjykatësen vendëse Mejreme Mema, për të kërkuar sqarim në lidhje me votën e saj pro lirimit të Sekiraqës nga paraburgimi, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, një ditë më parë, fillimisht lajmin për lirimin e Sekiraqës nga paraburgimi e kishte dhënë avokatja e tij, Kosovare Kelemendi. Edhe pse ka thënë se ende nuk e ka marr aktvendimin e Apelit, sipas avokates Kelmendi, në bazë të praktikës gjykata e shkallës së dytë e ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të këtij viti, ku ishin  shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Sekiraqa, kishte deklaruar se nuk ka dhe asnjëherë nuk do të gjendet asnjë provë që do të vërtetohet fajësia e tij për akuzat, për të cilat është dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

“Jam dënuar me 37 vite burg për dy vepra penale që kurrë në jetë as në ëndërr nuk i ka parë, prandaj ju lus që të më lejoni të mbrohem në liri”, kishte deklaruar Sekiraqa, i cili ndodhej në paraburgim që nga janari i vitit 2014.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Prokuroria në ankesën e paraqitur kishte kërkuar që të anulohet vendimi lidhur me veprën penale “ndikimi”, me arsyetimin se e njëjta kishte arritur parashkrimin, të cilën gjë e mirëpriten edhe pala mbrojtëse.

Ndryshe, në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme