Tri gra të suksesshme flasin për sfidat si ndërmarrëse në Kosovë

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 20:30 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Inkubatori i Universitetit të Prishtinës për Ndërmarrësi dhe Inovacion (Venture UP) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë organizuar diskutimin me gra ndërmarrëse me temën “Gratë dhe Ndërmarrësia në Kosovë”.

Tri gra të suksesshme ndërmarrëse kanë ndarë me studentët përvojat e tyre, si kanë nisur bizneset e tyre, sfidat dhe vështirësitë në të cilat kanë hasur, raporton Ekonomia Online.

Vesa Gashi, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Finesë”, e cila merret me organizimin dhe menaxhimin e ngjarjeve të ndryshme, tha se pas studimeve trivjeçare, ku si lëndë kishin dhe Ndërmarrësinë, bëri një hulumtim të tregut dhe e ka parë se ka hapësirë për një kompani të tillë.

“Ka pasur nevojë për një kompani që ofron shërbime të tilla. ‘Finesa’ ka qenë kompania e parë për menaxhimin e eventeve”, tha ajo.

“Ka qenë vështirë; kam filluar me zero mbështetje financiare. Por, për mu ka qenë me rëndësi me gjetë një punë që e dua”, u shpreh Vesa.

Ajo ka porositur studentët e pranishëm, shumica nga to femra, që për të pasur sukses duhet që punët të cilat merren përsipër të kryhen me shumë përkushtim. “Sfidojeni veten, çdo gjë që e bëni, bëjeni me përkushtim”.

Sipas saj, sakrifica më e madhe kur i përkushtohesh ngritjes dhe zhvillimit të një kompanie është koha që duhet ndarë nga jeta jote për këtë qëllim. “Humb shumë momente me familjen dhe shoqërinë”.

Ajo ka folur dhe për çështjen e trashëgimisë, ku femra vazhdon të jetë e diskriminuar në Kosovë. “Vetë nuk vij nga një familje që bën dallime të tilla. Mundohem me bo çdo ditë prej pjesës time për ta hequr këtë mentalitet”, u shpreh ajo.

Moderatorja e diskutimit, Donjeta Demolli, nga Venture UP, tha se është problematike niveli i ulët i trashëgimisë së pronës familjare të femrat.

“Vetëm 4 për qind e grave e trashëgojnë pronën prej prindërve; kurse 96 për qind burrave kanë pronë. Ky është disbalanc i madh”, theksoi ajo.

Rina Malsori, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Frutti”, u shpreh se “në këtë botë të burrave”, gratë ndërmarrëse duhet të kenë vetëbesim shumë të madh.

Rina Malsori theksoi se sfidat janë shkallë që dërgojnë te suksesi. Ajo tha se ka kryer studimet dhe ka vazhduar me trajnime në vende perëndimore. “Por, kur e kam marrë udhëheqjen e kompanisë e kam parë që është ndryshe nga ajo që kam mësuar në shkollë “.

Ajo theksoi se nuk duhet lejuar askënd që të luhasë synimet që ia ke vendosur vetes. “Duhet të jesh shumë e fortë. Sfidat janë shkallë drejt suksesit. Nuk duhet të dorëzohesh”, ka porositur ajo vajzat, që duan t’i hyjnë botës së ndërmarrësisë.

Malsori ka theksuar se në një vend si Kosova bëhet edhe më e vështirë për një grua. “Por, mos u ndikoni prej fjalëve që mund të vijnë. Bëhuni vetvetja, punoni me pasion dhe ajo do t’iu shpërblehet. Po flas nga përvoja. Kam pasur shumë sakrifica, kam hequr dorë nga dashuria e jetës time”, u shpreh kjo ndërmarrëse e re në moshë.

Drenusha Shala, nga kompania “Baruti”, tha se kompaninë e ka themeluar se së bashku me tre kolegë të saj, derisa ishte duke ndjekur studimet. Ajo bëri të ditur se është kthyer nga Zvicra dhe kanë nisur punën në vitin 2012 në banesën e saj me disa punëtorë, ndërsa sot kanë 420 persona të punësuar.

“Firma ‘Baruti’ është themeluar më 2012 nga unë dhe dy shokë të mi sa kemi qenë studentë. Sot i kemi mbi 420 punëtorë. Ne ofrojmë shërbime telefonike, nga Kosova për tregun gjerman-folës. Kemi qenë tre kolegë. I kemi ndarë përgjegjësitë. Kemi ardhur në Kosovë dhe kemi qitë një shpallje për njerëz gjerman-folës. E kemi parë që ka. I kemi thirrë. Pastaj i kemi thirrë klientët dhe iu kemi tregu se çka përfitojnë prej neve. Gjërat kanë rrjedhë natyrshëm. Kemi ardhë në Kosovë dhe kemi ndërtu infrastrukturën. ‘Baruti’ ka nisur në banesën time”, ka rrëfyer ajo për fillimet.

Edhe Drenusha ka folur rreth pabarazisë në çështjen e trashëgimisë, e cila vazhdon të jetë prezente në Kosovë. Për vete ka thënë se nuk do të kishte lejuar të mos ketë hise në pronën ose biznesin familjar. “Është diçka për çka kisha luftuar deri në fund”, është shprehur ajo.

Të ngjashme