Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci ka folur për gjendjen e qytetarëve nga Peja të cilët janë të infektuar me COVIC-19, ku ndër 47 personat e infektuar janë edhe tri gra shtatzëna të cilat deri më tani nuk kanë pasur simptoma dhe po trajtohen në shtëpi.
Loci bëri të ditur se janë dy qytetare të Pejës, njëra më e re, ndërsa tjetra më në moshë, të cilat janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, kurse të tjerët janë të vetizoluar në shtëpi.
“Faktikisht prej 47 të prekurve, kemi një rast i cili ka vdekur, dy raste janë të hospitalizuar në Kliniken Infektive, ndërsa pjesa tjetër e pacientëve të prekur është duke u trajtuar nëpër shtëpitë e tyre në gjendje stabile. Gjendja e dy të hospitalizuarve është relativisht e mirë, bëhet fjalë për dy gra, njëra pak më e moshuar e njëra më e re. Relativisht ato janë në gjendje stabile”, tha Loci për Telegrafin.
Loci tha se asnjëra nga tri gratë shtatzëna të cilat kanë dal pozitiv me COVID-19, nuk kanë simptoma.
“Gratë shtatzëne që janë të izoluara në shtëpitë e tyre. Gjendja e tyre është stabile prej ditës së parë, dhe vazhdon me qenë stabile tash edhe në këto momente, do të thotë nuk kanë as simptoma”, tha Loci.
Ndryshe, numri më i madh i të infektuarve në rezultatet e publikuara të enjten mbrëma nga IKSHPK, ishte në Komunën e Pejës.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë). Numri i madh i rasteve të konfirmuara në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve. Si pasojë e këtij veprimi deri më tani janë diagnostikuar 36 raste pozitive me COVID-19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.