Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it

Prishtinë | 27 Dhj 2024 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar tri kërkesat e saj karshi operatorëvë energjetik, gjegjësisht Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), raporton Ekonomia Online.

Pas takimit të përbashkët, Rizvanolli ka thënë se ka kërkuar që ekipet në terren të sanojnë lokacionet ku ka probleme, puna në ndërtimin e nënstatcioneve të vazhdojë intensivisht, si dhe komunim sa më të mirë me qytetarët.

“Përgjatë takimit unë i përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve që kemi pasur gjatë ditëve të fundit për furnizim me energji elektrike dhe veçanërisht në zona të caktuara që kanë qenë më te ndikuara. Kërkova prej operatorëve që të bëjnë maksimumin që ekipet në terren të sanojnë në masën e mundshme të gjitha lokacionet ku ka probleme.

Po ashtu është me rendësi që investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë, si nënstacioni i Ferizajt që është rajoni që ka më së shumti problem, të vazhdojnë me intensitetin më të lartë të mundshëm në mënyrë që të fillon puna sa më shpejt. Kjo më sa u informova pritet qe te jetë brenda disa ditësh ose javësh. Kisha edhe një kërkesë që përgjatë kësaj kohe të kenë komunikim sa më të shpeshtë dhe më të qartë për qytetarët për problemet, në mënyrë se si mund t’i ndihmojmë qytetarët për të përmirësuar situatën  furnizimit. Derisa nga operatorët e rrjetit kërkojmë angazhim maksimal”, tha Rizvanolli.

Përveç kësaj, ministrja e ekonomisë ka folur edhe për pajisjet efiçiente për energji dhe subvencionimin e tyre, sipas saj kur janë dizajnuar skemat është menduar çdo detaj.

“Kjo është një prej atyre gjërave që ka pasur keq informim, nuk po themi prej mediave, mirëpo në opinioni publik. Kur janë dizajnuar skemat e subvencionimit është menduar çdo detaj. Prandaj, edhe ka qenë kushti që nuk mund të përfitoni nga pajisjet ngrohëse efiçeinte që ngrohin me energji elektrike, përveç nëse jeni konsumator i cili është duke u ngrohur me energji elektrike me kaldajë(pajisje jo efiçiente dhe nuk keni asnjë opsion tjetër)”, theksoi ajo.

Të ngjashme