Në fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe në termat e një marrëveshje obligative eventuale, vendit tonë mund t’i kërkohet të bëjë kompromis edhe në këto tre çështje.
E para, kompromisi i ri i Kosovës mund të jetë heqja dorë nga padia kundër Serbisë për gjenocid. Natyrisht do të ishte një kompromis i dhimbshëm dhe i padrejtë. Por ka mundësi që do të imponohet nga faktorët ndërkombëtar në pakon e marrëveshjes finale obligative ndërmjet Kosovës e Serbisë, me të cilën mund të shpallet e mbyllur edhe armiqësia shekullore.
Në fakt, kompromisi në këtë çështje do të ishte shumë i padrejtë, pasi që dihet se padia për gjenocid kundër Serbisë ka bazë të fortë politike e juridike. Në çka? Serbia është bombarduar nga NATO-ja, për të ndaluar krimet e ushtrisë dhe të policisë së Serbisë kundër popullit shqiptarë të Kosovës, për të ndalë spastrimin etnik.
Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit është miratuar për të ndaluar katastrofën humanitare, një shprehje që esencialisht mbulon krimin e gjenocidit. Sekretari i OKB-së i asaj kohe, Kofi Anani, veprimet e atëhershme të soldateskës serbe i pati quajur taktika të tokës së djegur. Poashtu dihet se zyrtarët më të lartë shtetërorë të Serbisë të asaj kohe, me vendime finale të Tribunalit të Hagës janë shpall fajtorë dhe janë dënuar për krimet që ushtria dhe policia e Serbisë kanë kryer kundër civilëve shqiptarë në Kosovë.
Pra, në bazë të këtyre tre fakteve, bombardimeve të NATO-s, rezolutës 1244 të këshillit të Sigurimit dhe të verdiktit të Tribunalit të Hagës për përgjegjësinë penale të udhëehqësve shtetërorë të Serbisë, Kosova e ka të hapur rrugën që ta paditë Serbisë për gjenocidin që ka kryer kundër popullit shqiptar në Kosovë.
Rrjedhimisht heqja dorë e Kosovës nga padia kundër Serbisë për gjenocid, do të ishte kompromis i rëndë dhe i padrejtë, pasi që krimi serb i gjenocidit është qartësisht i vërtetueshëm.
Por, komuniteti ndërkombëtar nuk është në favor një padie të tillë tash e njëzet vjet dhe me siguri do të mbetet në të njëjta pozita. (Përveç nëse detyrohet ta aktivizojë si mjet presioni ndaj kokëfortësisë së qeverisë së Serbisë në negociata.) Komuniteti ndërkombëtar një padi të tillë e sheh si pengesë drejt një marrëveshjeje dhe një pajtimi ndërmjet Kosovës e Serbisë në të ardhmen.
Bile ka gjasa që për ta penguar një padi të tillë është ngritur Gjykata Speciale. (Nuk e di a është rastësi që dy figurat politike shqiptare, që e kanë përmendur më së shpeshti mundësinë e padisë për gjenocid kundër Serbisë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, ndonëse pa veprime konkrete edhe ata, janë të parët që janë atakuar nga padia e prokurorit special të Gjykatës Speciale.)
Kompromisi i dytë i rëndë që mund të detyrohet të bëjë Kosova në një marrëveshje eventuale gjithëpërfshirëse obligative me Serbinë është formimi i bashkësisë së komunave serbe me ingerenca de fakto ekzekutive. Ato ingerenca nuk do të shpallen si ekzekutive de jure, por gjasat janë se do të jenë të atilla.
Pra, në letër bashkësia e komunave serbe mund të mos kenë karakter bllokues ndaj shtetit të Kosovës, por në terren do të jenë pikërisht me karakter bllokues, nga interpretimi që do t’ua bëjnë serbët lokalë, të nxitur nga Serbia e Rusia, për ta mbajtur aktiv destabilizimin e Kosovës. Vetë fakti që ajo bashkësi komunash do të ketë parashenjë etnike, do të jep mundësi të interpretohet si entitet serb.
Kompromisi i tretë mund të jetë bashkëpunimi ekonomik, me të cilin do të konceptohej Kosova si sferë e ndikimit dhe dominimit ekonomik të Serbisë, pra, si apendiks i hapësirës ekonomike dhe tregut serb. Kjo mund të atakojë Trepçën dhe Gazivodën, por në pako me to ka rrezik të përfshijë edhe KEK-un e mbase edhe tërë ekonominë e vendit tonë.
Në rrethanat e një ekonomie të tregut të lirë, një kompromis i tillë do të ishte absurd dhe me kohë do të shndërrohej në burim të ri të konfliktit. Sado që të bëhet presion në këtë çështje, Kosova nuk duhet ta pranojë kompromise që ia imponojnë inferioritetin në sferën e bashkëpunimit ekonomik me Serbinë.
Në fund të fundit, mjetet e Bashkimit Evropian për presion mbi Kosovën janë të pakta, pasi që shumica e shteteve të BE-së e kanë njohur Kosovën. Ato shtete nuk mund të heqin dorë nga njohja, sepse në atë rast do të kontribuonin për ndezjen e konfliktit në oborrin e vet.
Si mund të shmanget gjithë ky rrezik për këso kompromisesh të rënda? Qeveria e Kosovës duhet ta rikthejë vëmendjen te kompromiset e mëdha dhe të rënda që ka bërë Kosova në Procesin e Vjenës.
Në Planin Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit janë inkorporuar të gjitha ato kompromise, me synimin që të arrihej njohja e Kosovës nga Serbia dhe të hapej rruga e anëtarësimit ët Kosovës në OKB, meqë Ahtisari ishte emisar i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Edhe pse Kosova i pranoi të gjitha ato kompomise, Serbia nuk e pranoi Planin, me çka u bllokua edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera. Por, Serbia i shfrytëzoi favoret e kompromiseve të Planit Ahtisari dhe i shfrytëzon maksimalisht edhe sot. Ndërhyrjet e shumta brutale të Serbisë në Kosovë pas vitit 2008, janë arsyetuar e arsyetohen me provizionet e Planit të Ahtisarit.
Ndërsa, Serbia deri sot nuk e ka bërë asnjë kompromis, pasi që edhe në Kushtetutë e ka mbajtur formulimin e vjetër për Kosovën. Ndërsa, Kosova ka bërë edhe kompromise absurde, siç është ndalimi i përdorimit të disa ngjyrave në simbolet e veta shtetërore, me parimet e procesit të Vjenës!
Rrjedhimisht, tash kompromiset duhet të kërkohen nga pala që deri sot nuk ka bërë asnjë kompromis, paçka se është palë që e ka humbur luftën, për çka është dëshmi Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës. Askund në botën normale nuk i bëhen favore palës humbëse.
Prandaj tentimi eventual, i kujtdoqoftë, për ta detyruar Kosovën për kompomise të reja e të rënda, do të ishte dënim për viktimën dhe shpërblim për agresorin. Do të ishte një shpërblim shtesë i barbarisë.