Komuna e Gjilanit, Kamenicës dhe ajo e Vitisë, për shërbimet e njëjta, të cilat ofrohen për qytetarët, kanë përcaktuar tarifa të ndryshme, duke u bazuar në Rregulloren mbi taksat, tarifat dhe ngarkesat, të cilat janë aprovuar nga këto tri komuna.
Zyra Kombëtare e Audtimit kishte tërhequr vërejtjen për mosharmonizimin e tarifave nëpër komuna, prandaj ata kishin kërkuar edhe përfshirjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në këtë proces, shkruan Koha Ditore.
Mirëpo, deri tani sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk është arritur që të bëhet rishikimi i këtyre tarifave. Komuna e Kamenicës po del të jetë më e shtrenjtë sa i përket ofrimit për shërbime të caktuara për qytetarët, krahasuar me dy komunat e tjera të rajonit.
Një çift, i cili kurorëzon lidhjen e tyre në Komunën e Kamenicës duhet të paguajë për këtë shërbim 10 euro, përderisa në Viti është e përcaktuar një shumë prej 7 eurosh, kurse për të njëjtin shërbim Gjilani ka përcaktuar një shumë prej 5 eurosh.