Gjatë ditës së djeshme, tri nxënëse të mitura dyshohet se janë ngacmuar seksualisht nga një person i moshës 63-vjeçare, në afërsi të shkollës së muzikës, në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë.
Burimet e nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari H.H., po dyshohet se e ka ngacmuar nxënëset, dy të moshës 10-vjeçare dhe tjetra 11 vjeç, duke ekspozuar organin gjenital posa ka kaluar pranë tyre dhe ka tentuar që komunikojë me to, raporton Sinjali.
Ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fakt është se i dyshuari edhe më parë ka bërë veprime të tilla dhe nuk dihet nëse ndonjë nxënëse e kësaj shkolle apo ndonjë vajzë tjetër e ka pësuar.
Përballë kësaj situate, vajzat fillimisht kanë kërkuar ndihmë nga drejtoria dhe më pas rasti është raportuar në Polici, ku të miturat kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë edhe 63-vjeçarin e dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuarit të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim seksual’.