Gjithnjë e më shumë në bregdetin shqiptar po shtohen pushuesit që preferojnë të bëjnë plazh “topless” apo edhe krejtësisht nudo.
Por ndodh shpesh që kjo kategori pushuesish pa komplekse të zgjedhë vendin e gabuar që mund të jetë një plazh i populluar nga fëmijë e të moshuar, të cilët shpesh ankohen. Por ndodh edhe që plazhistët “topless” të përfundojnë në faqet e rrjeteve sociale çka mund të mos jetë fort e këndshme për ta.
Megjithatë bregdeti shqiptar ju ofron mundësinë të gjeni qetësinë me plazhet e vogla, të virgjëra e të fshehura larg qytetërimit.
Tre plazhe sekrete që ndodhen në Jug të vendit dhe mund të arrihen lehtësisht nga qyteti i Sarandës janë Pasqyrat, Krorëza dhe Lukova.
Pasqyrat
Plazhi me rërë të bardhë e ujë të kaltër ndodhet rreth 15 minuta larg qytetit të Sarandës, në rrugën e Butrintit. Në këtë plazh mund të arrihet me makinë. Pavarësisht se gjatë viteve të fundit ky plazh është populluar shumë, ngjitur me të ndodhet një gji tjetër nga ku mund të shkohet vetëm me varkë ose not.Privatësia: 6
Lukova
Shpellat e Lukovës është një plazh i gjatë dhe tepër piktoresk poshtë fshatit me të njëjtin emër. Aty shkohet me makinë ndërsa ofron kamping, disa lokale dhe restorante e shërbime të tjera. Privatësia gjendet në të dy skajet e plazhit duke qenë se bizneset janë të përqëndruara në qendër. Privatësia: 8
Krorëza
Një prej plazheve të virgjër në bregdetin e jugut. Ky plazh me ujë të kristaltë dhe rërë të bardhë gjendet i rrethuar nga gjelbërimi dhe mund të arrihet vetëm me varkë. Shpesh varka private nisen nga qyteti i Sarandës herët në mëngjes dhe rikthehen në pasdite. Plazhi i mrekullueshëm është ideal për kamping ndërsa nuk ka asnjë aktivitet privat. Privatësia: 10